Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, akuzon Sektorin e Punëve të Brendshme, se duke mos bashkëpunuar me komunën, po shkakton kaos në komunikacionin e qytetit.
“Atë që ne përditë e jetojmë me rrugë të bllokuara me trotuare të bllokuara ne sot mund ta shohim edhe në vepër se si komunikacioni është i bllokuar por ne nuk e shohim policinë askund që të intervenojë.”- tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Madje Kasami thotë se nuk do të ndërtojë parkime me kate deri sa policia do të sanksionojë.
“Parkime në kate do të ketë atëherë kur policia do të sanksionojë qytetarët që parkohen në rrugë, nuk mund as komuna e as privati të ndërtojë parkim në kate, pasi që ne kemi këtu pas nesh parkim në tokë i cili nuk shfrytëzohet.”
Po nga SPB Tetovë thonë se për vetëm 11 muaj ka shqiptuar mbi 5 mijë gjoba, ndërsa policia në mbi 3700 raste ka asistuar te vetura merimangës që është në kompetencë të komunës së Tetovës.
“Kemi shqiptuar gjithsej 5148 masa për parkim të paligjshëm ose të parregullt të automjeteve në Tetovë. Numri më i madh i masave të shqiptuara ka të bëjë me parkimin në të ashtuquajturat “rende të dyfishta”, në zonën e kryqëzimeve, trotuareve dhe vendeve të tjera të paligjshme, kryesisht në pjesët qendrore të qytetit. Krahas këtyre, gjatë periudhës në fjalë, “Shërbimi komunal i merimangës” së Tetovës ka ngritur dhe larguar gjithsej 3767 automjete të parkuara gabimisht, të cilat më drejtpërdrejt kanë penguar lëvizjen normale dhe të sigurt të përdoruesve të tjerë të rrugës, automjeteve, këmbësorëve.”- thanë nga SPB Tetovë.
Kjo nuk është hera e parë që Kasami ka drejtuar akuza kundër SPB Tetovë, ndërsa në qytet për momentin funksioni vetëm një veturë e merimangës nga tre që kishte para disa muajsh.
