Kartëmonedhat me Charles III, Banka e Anglisë: Do të nisin të qarkullojnë në qershor

TË FUNDIT

Kartëmonedhat e para me portretin e mbretit Charles i Tretë i Britanisë do të dalin në qarkullim më 5 qershor. Lajmin e ka bërë të ditur Banka e Anglisë.

I vetmi ndryshim do të jetë zëvendësimi i portretit të mbretëreshës Elizabeth-a e Dytë nga ai i djalit të saj, tashmë monark.

Stoqet e para të kartëmonedhave do të shiten në ankand për të mbledhur të ardhura për bamirësi.

Monedhat e para me imazhin e mbretit Charles qarkullojnë prej disa muajsh. Por kartëmonedhat kanë kërkuar më shumë kohë për t’u prodhuar për arsye teknike, përfshirë atë të leximit të tyre nga makineritë bankare, përfshirë ato të vetëshërbimit.

Megjithatë, blerësit nëpër dyqane do të mund të vazhdojnë të përdorin kartëmonedhat me mbretëreshën Elizabeth-a e Dytë edhe për disa muaj.

Ndërkohë, ana e pasme e kartëmonedhave aktuale të Bankës së Anglisë, të cilat në rend rritës paraqesin Sir Winston Churchill, Jane Austen, J. Turner dhe Alan Turing, do të mbetet e pandryshuar.