Karnevali i Vevçanit, traditë 1400-vjeçare! Kanë ardhur vizitor nga Australia dhe Suedia

TË FUNDIT

Maskat mbahen të fshehura deri në momentin e paraqitjes në paradë dhe nuk përsëriten kurrë në karnavalet e ardhshme – ky është Karnevali i Vevçanit, i cili mbahet tradicionalisht çdo vit në këtë periudhë.

Kryetari i Komunës së Vevçanit theksoi se askush nuk duhet të marrë diçka personale nga maskat që shfaqen, pasi, sipas tij, ato përfaqësojnë drama dhe teatër, dhe nuk kanë asnjë kuptim tjetër personal.

“Është individuale, ndonjë incident nuk duhet të merret.. shihe kjo është si një film, psh: xhironi film të luftës së dytë botërore, keni nacista, atje keni çdo gjë, pra kjo është dramë, gjithçka që shihni në një dramë. Shembull, nuk mund ta arrestoni atë që në film vret Hitlerin, njëjtë është edhe këtu. Teatër në të hapur”, tha Spase Koçoski – kryetar i Vevçanit.

Për të ndjekur karnevalin në Vevçani nuk munguan as vizitorët nga Suedia, madje edhe nga Australia.
Ata thonë se janë të magjepsur nga ky event.

“Unë kërkova në YouTube dhe më erdhi interesat dhe erdha nga Australia, është shumë bukur nuk kam parë diçka të tillë më parë.
Mua më pëlqen këtu, unë mendoj se njerëzit duhet të vijnë sepse është vend magjepsës për ta vizituar. Edhe unë ua rekomandoj”, tha një turiste nga Australia.

“Po është unike dhe nga natyra është shumë shumë i vjetër unë mendoj se gjërat e vjetra nga Europa janë nga shpirti. Unë isha edhe vitin kaluar këtu dhe ishte shumë bukur, ndërkaq kujtimet e mija janë të bukura”, u shpreh një turist nga Suedia.

Karnevali i Vevçanit, me traditë që daton rreth 1.400 vjet më parë, është një përzierje e zakoneve pagane, traditës së krishterë dhe satirës bashkëkohore dhe ka një rol shoqëror dhe kulturor në bashkësi. Karnevali shënon simbolikisht kalimin nga viti i vjetër në të riun dhe nevojën për pastrim, ripërtëritje dhe fillim të ri.