Dita e katërt e festivalit “Komedia Fest” në Gjakovë kaloi më ndryshe nga të tjerat. Pjesë e festivalit ishte edhe ekspozita e karikaturës “Therrë Murizi”. Hapja e kësaj ekspozite retrospektivë e karikaturistit Ramadan Zaplluzha u prit mjaftë mirë nga artdashësit në këtë qytet.
Në Galerinë e Pallatit të Kulturës “Arsim Vokshi” në Gjakovë, në kuadër të festivalit “Komedia Fest”, që këtë vit po shënon edicionin e katërt, u tha se karikatura është një prej arteve më të bukura, derisa autori i ekspozitës së sotme u cilësua si ndër emrat e parë të karikaturës shqiptare.
Organizatori i festivalit, Lekë Zatriqi ditën e sotme të festivalit e cilësoi si të veçantë për shkak të hapjes së ekspozitës “Therrë Murizi”.
Autori i ekspozitës, duke folur me shumë dashuri e pasion për karikaturën, tha se ajo është ndër artet më të bukura.
E ata që po përfitojnë sado pak nga ky festival, janë fëmijët me nevoja të veçanta.
Mjetet e grumbulluara nga shfaqjet në këtë festival, do t’u dhurohen fëmijëve me nevoja të veçanta.
Ekspozita e karikaturës u vizitua dhe u përcoll me vëmendje nga një numër i konsiderueshëm artdashës gjakovarë.
Organizatorët e festivalit “Komedia Fest” për sonte kanë paralajmëruar performancën e DJ-ve Gamblemania dhe Duo Di Xhejs.
