Kapet 1 ton marihuanë! Arrestohen 3 shqiptarë dhe 2 ukrainas

TË FUNDIT

Policia e Shqipërisë ka dhënë detaje të reja në lidhje me megaoperacionin anti-drogë të koduar “Syri”.

Në bashkëpunim me Guardia di Finanzia-n, janë sekuestruar 992 kg lëndë narkotike e dyshuar marihuanë, e cila ishte ndarë në 153 pako.

Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 3 shtetas shqiptarë kanë transportuar lëndën narkotike, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Gregor Likaj, 33 vjeç.

Nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, ukrainasit Bychkovi Serhii, 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.

Ndërsa, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. I., në Vlorë, u gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celulare dhe 2 automjete.

Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it.