Që nga orët e para të mëngjesit, një aksion masiv i policisë dhe zjarrfikësve po zhvillohet në pjesën veriore të Munihut, ku njësitë speciale dhe ekspertët e eksplozivëve ndërhynë pas disa shpërthimeve dhe të shtënave.
Rreth orës 04:40, zjarrfikësit morën njoftim për një shtëpi të përfshirë nga zjarri. Më pas, raportohet për shpërthime të fuqishme. Në vendngjarje u gjet trupi i një mashkulli. Sipas gazetës “Bild”, bëhet fjalë për një burrë që hodhi në erë shtëpinë e prindërve të tij, i vuri flakën dhe më pas u vetëvra. Ai mbante një çantë shpine, për të cilën policia dyshon se përmbante një pajisje shpërthyese, ndaj ekspertët për neutralizimin e bombave ndërmorën veprime të menjëhershme.
Në afërsi të Liqenit Lerenau u gjet një person tjetër i lënduar nga arma e zjarrit. Ekipet e shpëtimit dhe të policisë vazhdojnë punën në terren, ndërsa hetimin po e udhëheq departamenti për vrasje.
Incidenti ndodhi në rrugën Lerenauer, ku është izoluar një perimetër i gjerë. Policia apelon tek banorët dhe shoferët që të shmangin zonën. Shkolla fillore dhe e mesme në rrugën Toni-Pfilf mbeten të mbyllura ndërsa hetimi vazhdon. Një re e madhe tymi është e dukshme nga një distancë e konsiderueshme.
“Nuk ka rrezik për publikun dhe ngjarja nuk ka lidhje me Oktoberfestin,” deklaroi inspektori i policisë, Tomas Shellshorn, për gazetën “Bild”.
