Kandidatët për kryetar të Tearcës premtojnë zgjidhje për problemin e ujit të pijshëm, kanalizimit dhe deponitë e egra

TË FUNDIT

Banorët e Komunës së Tearcës me vite përballen me mungesën e ujit për pije. Edhe pse u premtua vazhdimisht se kjo problematikë do të zgjidhet, gjithçka ngeli vetëm premtim parazgjedhor. Edhe në programet e kandidatëve të Komunës së Tearcës prioritet mbetet ky projekt. Kandidati i VLEN-it, Daut Memishi, tha se ka marrë udhëzimet nga persona kompetentë, të cilët e kanë rekomanduar vënien në funksion të filtrave natyralë, por edhe zgjidhjen e këtij problemi.



“Me ardhjen tonë në Komunë do të duhet që ndërmarrjen e cila funksionon me disa fshatra ta sistematizojmë ashtu siç duhet edhe në ato fshatra të cilat i menaxhon, sepse nga banorët kemi shumë ankesa, pasi që shërbimet nuk i marrin me kohë dhe nuk kanë potencial për t’i kryer të gjitha shërbimet e mundshme në ato fshatra”, tha Daut Memishi – kandidat i VLEN-it.

Kundërkandidati i tij nga AKI, Nazim Taipi, premtoi se çështja e ujit të pijshëm do të zgjidhet brenda mandatit katërvjeçar të tij si kryetar i ardhshëm i Tearcës.



“Unë garantoj se brenda këtij mandati do ta rregulloj çështjen e ujit të pijshëm në të gjitha vendbanimet. Kam dalë vetë dhe e kam parë se si qëndron gjendja në të gjitha vendbanimet. Nuk është se nuk është investuar aspak, janë projekte në proces. Ata nuk kanë ujë të pijshëm, por ato projekte duhet të përfundojnë”, shtoi Nazim Taipi – kandidat i AKI-së.

Përveç ujit për pije, banorët e Komunës së Tearcës përballen me mungesë të kanalizimit. Asnjë nga fshatrat e kësaj komune nuk e ka të instaluar sistemin e kanalizimit, përveç fshatit Tearcë që ka të përfunduar fazën e parë të këtij procesi. Kandidatët premtuan përfundimin e këtij projekti. Ata premtuan edhe zgjidhje për deponitë e egra, investime në arsim, ndërtimin e stadiumit në këtë komunë dhe largimin e kazinove nga vendbanimet.