BE nuk e sheh potencialin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është e gabuar, u shpreh në ClickPlus Dharmendra Kanani, drejtor i politikave strategjike në organizatën think-tenk “Miqtë e Europës”. Thotë se të gjithë ndaj nesh sillen me padrejtësi dhe se të gjithë vendet e Ballkanit duhet të bashkohen dhe punojnë së bashku.
“Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të bashkohen për të bashkëpunuar dhe të thonë se gota është gjysmë e plot. Por gabimi strategjik i Bashkimit Evropian, nga disa komisionarë dhe, do ta them drejtpërdrejt, disa komisionarë të njëpasnjëshëm të zgjerimit nuk kanë asnjë ide për potencialin dhe mundësitë e Ballkanit Perëndimor. Sot ne vuajmë pasojat e asaj shkurtpamësie.”- deklaroi Dharmendra Kanani, Miqtë e Europës.
Sipas Kananit, liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkohen dhe të kërkojnë një marrëveshje të re të përbashkët me Bashkimin Evropian.
“Gjashtë a shtatë kryeministra të ulen bashkë dhe të thonë se së bashku, të bashkuar do të jenë më të fuqishëm. Ata do të jenë në gjendje të negociojnë një marrëveshje tjetër. Pse të mos propozojmë një model tjetër? Mos na shikoni individualisht, na konsideroni si kolektiv dhe le të sigurohemi që të punojmë me Bashkimin Europian për të krijuar një qasje tjetër për negociatat aderuese, me vlera të ndryshme, por që Ballkani Perëndimor të trajtohet si bllok, si e tërë.”- Dharmendra Kanani, Miqtë e Europës.
Kanani thotë se Europës i nevojitet një këndvështrim tjetër ndaj rajonit, si një bllok që njëherit do të përfaqësojë edhe kufirin lindor të BE-së.
