KAMPIONATI EVROPIAN I PARASHUTIZMIT, PARASHUTISTËT SI ZOGJ MBI MALIN E THATË

TË FUNDIT

Komandanti po jep udhëzimet e fundit për të nisur fluturimet. Parashutistët të gatshëm po presin radhën për tu lëshuar. Me disa hapa vrap pa frikë ato po lëshohen në qiellin e hapur, të Malit të Thatë mbi Gostivar. Këta paraglajderistë, 46 në numër, kanë ardhur nga 15 shtete të ndryshme për të luftuar për kupën evropiane.

-Shumë gjatë, fillova kur kisha 16 vjet dhe jam ende këtu. Do ta shijojmë këtë garë.  Ishte bukur, sepse unë flututoj tashmë 30 vjet dhe ende e shijoj fluturimin. Jo nuk kam frikë, shpresoj të kemi garë të mirë, sepse më pëlqen të garoj”, Matiash – Paraglajderist nga Sllovenia

-Më së shumti adrenalina, ne jemi të gjithë të varur nga adrenalina dhe ajo më shumë na tërheq. Përvoja ime e parë ishte para 11 vitesh, fluturova në Krushevë, pastaj fillova vetë të mësohem dhe ja ku jam tani. Është gjëja më e mirë që e kam provuar në jetë, u shpreh Despina , Paraglajderiste nga Maqedonia

Numri i të interesuarve për këtë sport, shënon rritje por nuk është i kënaqshëm thotë organizatori i ngjarjes “Eurocup” 2019 Mentor Saiti. Ai thotë se pikërisht këto ngjarje do të ndihmojnë në promovimin e këtij sporti dhe vendet e Maqedonisë, të cilat kanë kushte të mira për fluturime.

-Qëllimi kryesor i këtij eventi është të promovojmë këtë sport edhe këtu në Maqedoni, posaqërisht në pjesën perëndimore. Të kemi një garë të suksesshme dhe një fitues kompetent të kësaj gare. Dhe ta promovojmë këtë vend si vend ideal për tu zhvilluar ky sport”, Mentor Saiti, organizator

Disa pilotë fluturuan nga Mavrova, ku edhe ishte organizuar eventi, por disa të tjerë nga Gostivari, për shkak të erës e cila sot nuk ishte në favor të tyre.

-Mirë ishte fluturim i qetë, prisja fluturim më të egër. Në fund pak nuk shkoi mirë dhe rashë 51 cm. Moti në mëngjes nuk ka qenë i përshtatshëm, tani në nisje nuk ka problem por kur vijmë këtu poshtë ka pak turbulenca”, theksoi Migjen Shala – Parashutist Nga Kosova

-Paraglajdistët kanë ateruar në pistë dhe po i mbledhin pajisjet e tyre, ndërkaq pritet të aterojnë edhe pjesmarrësit e fundit në këtë garë. Kompeticioni deri tani është zhvilluar pa ndonjë parregullsi dhe nesër do të shpallen edhe fituesit.

Paraglajding “Kupa evropiane” 2019 organizohet nga klubi i parashutistëve“Condor” dhe zgjat tre ditë. Gara të tilla janë organizuar që në vitin 2015, por këtë vit kjo ngjarje ka marrë përmasat e garës për kupë të Evropës.

Parashutizmi është sport rekreativ dhe garues, dhe bën pjesë në sportet ekstreme. Vitin e kaluar në vendin tonë një parashutist nga Hungaria humbi jetën pasi ra në ujërat e Liqenit të Ohrit.

PËRGATITI: ALMEDINA ISMAJLI