Në Kamnjan të Bogovinës u lëshua në përdorim rrjeti i ri i ujësjellësit. Ky projekt ka kushtuar 15 milionë denarë dhe gjatësia e tij është 9 kilometra. Në promovim ishte edhe ministri i transportit Bllagoja Boçvarski, i cili tha se ky është projekt kapital për këtë vendbanim.
“Jemi këtu për të lëshuar në përdorim një projekt të rëndësishëm për komunën e Bogovinës dhe ai është rrjeti i ujësjellësit për vendbanimin Kamenjan, ku kemi kryer rikonstruimin e gjithë ujësjellësit prej 9 kilometrash. Banorët do përfitojnë ujë të pijshëm dhe të shëndetshëm, ku në kaluarën ka qenë një problem i vërtet për këta banorë edhe këtë komunë.”- deklaroi Bllagoja Boçvarski, ministër i Transportit.
Por a do të zgjidhet përgjithmonë problemi i ujit të pijshëm për banorët e Kamnjanit? Kryetari i komunës së Bogovinës Besnik Emshiu nuk jep një përgjigje të saktë. Sipas tij duhet të vendosen edhe orëmatësit që banorët të kenë 24 orë ujë të pijshëm.
“Uji është i mjaftueshëm që vijnë nga burimi deri në rezervuar, mirëpo neve si komunë na presin edhe punë tjera, duhet vendosen edhe orëmatësit që qytetarët mos të kenë keqpërdorim të ujit dhe nëse i vendosim orët do të ketë 24 orë ujë të pijshëm.
Me këtë kështu si është për momentin do kenë apo nuk do të kenë ?
Për momentin do të kenë mirë, por me kontroll si duhet, dhe gjatë sezonit të verës duhet të bëjnë pagesën edhe ne të kemi ujë të pijshëm.”- Besnik Emshiu – Kryetar i Komunës së Bogovinës.
Muaj më parë banorët e fshatit Pallçishtë protestuan për mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa kryetar i komunës edhe ministrat u zotuan se javën e ardhshme do të fillohet me punë edhe në këtë projekt.
