Më në fund është hapur pika kufitare mes Egjiptit dhe Gazës. U lejua që ndihma humanitare të arrijë tek palestinezët për herë të parë që kur Izraeli mbylli territorin pas sulmit nga grupi militant Hamas dy javë më parë.
2.3 milionë palestinezë në Gaza, gjysma e të cilëve u larguan nga shtëpitë e tyre, nuk kishin qasje në ushqim, ujë të pijshëm apo ilaçe.
Spitalet thanë se mbaruan materialet mjekësore dhe karburantet për gjeneratorët e urgjencës për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në mbarë vendin.
Pikën kufitare Rafah e vizitoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh, i cili tha se këta kamionë duhet të kalojnë sa më shpejt në anën tjetër të murit, sepse janë me rëndësi vitale.
“Në këtë anë pamë shumë kamionë të ngarkuar me ujë, me karburant, me ilaçe, me ushqime. Pikërisht të njëjtat gjëra që nevojiten në anën tjetër të murit. Pra, këta kamionë nuk janë vetëm kamionë. Ata janë linja e jetës. Ata janë kufiri midis jetës dhe vdekjes për kaq shumë njerëz në Gaza. Dhe duke i parë ata të bllokuar këtu është, është e qartë se ajo që nevojitet ta bëjmë është të mundësojmë që të lëvizin”, deklaroi Antonio Guteresh, sekretar i përgjithshëm i OKB-së.
Hapja e vendkalimit Rafah erdhi pas më shumë se një jave diplomacie të nivelit të lartë nga ndërmjetësues të ndryshëm.
Izraeli këmbënguli se asgjë nuk do të hynte në Gaza derisa rreth 200 persona të robëruar nga Hamasi të lirohen ndërsa pala palestineze e kalimit kufitar u mbyll për shkak të sulmeve ajrore izraelite.
Më shumë se 200 kamionë që transportojnë rreth 3000 ton ndihma ishin bllokuar afër vendkalimit për ditë të tëra.
Megjithatë, televizioni shtetëror i Egjiptit Al-Kahera, i cili është afër agjencive të sigurisë, raportoi se vetëm 20 kamionë hynë në Gaza gjatë ditës.
Qeveria e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se karvani i kufizuar “nuk do të jetë në gjendje të ndryshojë katastrofën humanitare që po vuan aktualisht Gaza”, duke bërë thirrje për hapjen e një korridori sigurie që do të funksionojë non-stop.
Hapja erdhi disa orë pasi Hamasi liroi një grua amerikane dhe vajzën e saj adoleshente, robërit e parë që u liruan që kur grupi militant pushtoi Izraelin më 7 tetor.
