I pari i Shkupit, Petre Shilegov premtoi se do të ndikojë edhe te Ministria e Punëve të Brendshme për ta vendosur sa më shpejtë semaforin në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh” në Çair. Kaluan 5 muaj që kur në vizbardha të këtij semafori u shkelën fëmijë, pastaj kishte protesta, u mbajtën edhe takime, por semafori nuk duket askund.
Shilegov thotë se procedura ka ngecur në MPB.
“Kërkesa për vendosjen e semaforit ende është në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sapo të miratohet projekti i komunikacionit nga MPB, do të vendoset”
TV21: Do të thotë projektin e keni dorëzuar?
“Po e kemi dorëzuar, por ende nuk kemi marrë përgjigje pozitive”, deklaroi Petre Shilegov – kryetar i Qytetit të Shkupit.
Ndërkaq nga Ministria e Punëve të Brendshme i thanë TV21 se deri më 12 maj në Sektorin e Punëve të Brendshme në Shkup nuk është kërkuar vendosja e semaforit në këtë pjesë.
“Deri më 12 maj të 2020 në SPB Shkup nuk është parashtruar kërkesë për të marrë pëlqim për vendosjen e sinjalizimit ndriçues në bul. “Hristijan Todorovski Karposh”, në afërsi të objektit administrativ të komunës së Çairit”, thonw nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Përveç mungesës së semaforit, komunikacionin në këtë anë po e rrezikojnë edhe qytetarët e pavëmendshëm, kurse aksidentet kanë vazhduar edhe pas atij rasti.