Kaloi interpelanca për Kocevskin! 71 deputetë votuan “për”, asnjë “kundër” apo “abstenim”

TË FUNDIT

Me 71 vota “PRO”, asnjë “kundër” dhe pa asnjë “abstenim”, Kuvendi i votoi mosbesim Prokurorit Publik Ljupço Kocevski. Iniciativa u paraqit nga deputetët e partisë Levica, të cilët vlerësojnë se Kocevski duhet të largohet nga funksioni për shkak të jofunksionalitetit dhe ndikimeve politike.

Nga Fronti Evropian u tha se kjo interpelancë ngrit pyetje serioze për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Deputetja Rina Ajdari theksoi se ata nuk do të marrin pjesë në votim, duke akuzuar për lojëra të fshehta politike.

Saranda Imeri Shtafai ndërkohë akuzoi BDI-në se gjatë gjithë kohës sa ishte në pushtet nuk ka pasur as hetime, as drejtësi për një numër të madh rastesh.

Deputetët e VMRO-DPMNE, të cilët nuk morën pjesë në debat gjatë seancës, deklaruan para fillimit të saj se do të votojnë për mosbesimin ndaj Kocevskit, pasi, siç theksuan, ai e ka humbur mundësinë që i ishte dhënë.

LSDM i bëri thirrje Kocevskit të mos e njohë interpelancën, duke theksuar se ky vendim nuk ka ose nuk duhet të ketë pasoja juridike, tha Jovan Mitrevski.

Kocevski nuk ishte i pranishëm në seancë. Në përgjigjen me shkrim që e kishte dorëzuar më parë në Kuvend, ai theksoi se funksionin e ushtron me ndershmëri dhe përgjegjësi, dhe se interpelanca është e paligjshme dhe përbën ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Ai i hodhi poshtë akuzat për ndikime nga partitë politike.