Kallëzim penal për ish-drejtorin dhe disa të punësuar në AUV, dyshohen për keqpërdorime të mëditjeve

TË FUNDIT

Sektori për Punë të Brendshme Shkup ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër Z.A., ish-drejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “përvetësim në detyrë”, që dënohet sipas nenit 354, paragrafi 1 i Kodit Penal, përcjell TV21. Kallëzimi penal është parashtruar gjithashtu kundër F.M., ish-zëvendësdrejtor i agjencisë, për shkak të dyshimit për kryerjen e të njëjtës vepër penale — “përvetësim në detyrë”, në bazë të nenit 354 në lidhje me nenin 24 të Kodit Penal — “ndihmë”, si dhe kundër L.U., A.R., E.T., A.B. dhe A.B., të punësuar në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, për të njëjtat vepra penale në bazë të dispozitave të lartpërmendura.

“Z.A., në cilësinë e drejtorit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, gjatë periudhës 2017–2020, në disa raste ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme mjete financiare që i ishin besuar në detyrë. Gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë shtetit, ai ka marrë mëditje prej 50%, edhe pse, sipas Udhëzimit për ndryshimin e Rregullores për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare dhe udhëtimeve jashtë shtetit, i takonte vetëm 20%, pasi shpenzimet për akomodim dhe ushqim nuk ishin në ngarkim të institucionit. Në këtë veprim e ka ndihmuar F.M., si zëvendësdrejtor, duke nënshkruar vendimet për miratimin e udhëtimeve zyrtare jashtë shtetit, në bazë të të cilave Z.A. ka përvetësuar fondet në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë, L.A., A.R. dhe E.T. kanë përgatitur vendime për udhëtime zyrtare në emër të tij, në kundërshtim me rregulloren, ndërsa A.B. dhe A.B. kanë miratuar pagesat përkatëse, megjithëse ishin të vetëdijshëm se vendimet nuk ishin nxjerrë në përputhje me aktet ligjore. Si rezultat, Z.A. është pasuruar në mënyrë të kundërligjshme me 62.530 denarë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari”, thonë nga MPB.