Tre deri në katër deputetë mund të kalojnë nga Fronti Europian te shumica e re parlamentare, thotë për TV21 Izet Mexhiti nga koalicioni VLEN. Sipas tij, dy deputetët e komunitetit turk nuk kanë potencial për të qëndruar në opozitë, dhe u nevojitet dora e ngrohtë e Qeverisë. Mexhiti po ashtu tregon se po negociohet edhe me deputetë shqiptarë të Frontit Europian.
“Është shumë e logjikshme që do të fillojë shpërndarja e këtij Fronti. Bile mund të shkojë më tepër se sa ajo që kam përmendur unë, 3-4 deputetë. Unë nuk pres një reflektim menjëherë. Pritet të formohet Qeveria dhe mandej mendoj do të zhvillohen proceset. Unë nuk e kam thënë me qëllim të keq. Komuniteti turk është komunitet i vogël të cilit i duhet qeveria, ata nuk kanë nevojë për politika të mëdha për kauza opozitare frymë opozitare, nuk e kanë as potencën e as mundësinë. Atyre ju duhet dora e ngrohtë e Qeverisë dhe këtë e thotë edhe anëtarësia e tyre.
-A ka deputetë shqiptarë me të cilët zhvilloni negociata?
-Ka, ka. Edhe deputetë shqiptarë? Po!”, tha Izet Mexhiti – VLEN.
Por deputeti i Frontit Europian, Sali Murat, mohon një gjë të tillë. Për TV21, thotë se bisedime për kyçje në shumicën e re nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë të ketë.
“Ne jemi pjesë e Frontit Europian dhe ngelemi në Frontin Europian. Gjithçka tjetër është spekulim. Bisedime të tilla nuk ka pasur asnjëherë dhe nuk ka nevojë të ketë. Ne jemi fitues në Frontin tonë dhe duhet të respektohet vullneti. VLEN duhet të përgjigjet në deklaratat e tyre nacionaliste se votat e tyre janë të pastra. Çfarë do të thotë kjo, se tonat nuk janë të pastra? Turqit, romët, boshnjakët, nuk jemi ne qytetarë të këtij shteti? – tha Sali Murat – Fronti Europian.
Transferimin e mohon edhe deputeti tjetër i Frontit Europian, Bejxhan Iljaz. Në një deklaratë për TV21, tha se dera për VLEN-in është e mbyllur dhe nëse ka nevojë të bisedohet, këtë duhet ta bëjë mandatari. Megjithatë, qëndrimi i tyre momental është të vazhdohet me Frontin Europian.
“Është interesante se sa e kanë gajle për ne këto parti tjera për shkak se ato e kishin mundësinë para zgjedhjeve të na përfitojnë si pjesë e koalicionit por nuk e bënë. Nuk ka pasur negociata deri tani, ne vazhdojmë të jemi pjesë e Frontit Europian dhe luftën demokratike do ta bëjmë që të mbrojmë legjitimitetin tonë. Dera jonë për VLEN është e mbyllur, nëse duhet të bisedohet, duhet të bëhet me mandatarin. Por qëndrimi jonë si parti momentalisht është të vazhdohet me Frontin Europian”, u shpreh Bejxhan Iljaz – Fronti Europian.
Përndryshe Fronti Europian dje paralajmëroi masa të tjera për të mbrojtur, siç thonë, legjitimitetin e përfaqësimit të popullit shqiptar. Megjithatë sipas Izet Mexhitit nga VLEN, Fronti Europian e ka humbur të drejtën për të luftuar për legjitimitetin tek shqiptarët sepse ka kaluar në koncept multinacional.
