Njëzet fëmijët me pengesa në të folur dhe me nevoja të veçanta prej sot do të mësojnë në kabinet dhe me pajisje të reja në çerdhen Borëbardha. Edhe pse donacioni ishte për fëmijët me nevoja të posaçme ata nuk morën pjesë në aktivitetin e organizuar. Nuk ishin të thirrur as prindërit e fëmijëve.
Zëvëndës ministri i Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale Gonul Bajraktar tha se po punojnë për përmirsimin e kushteve në çerdhet dhe përfshirjen e tyre në shoqëri.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë kushte më të mira për fëmijët sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara. Për përfshirjen e tyre, në mënyrë që të mos ndihen të mënjanuar. Dhe për këtë arsye ne jemi sot këtu për t’i mbështetur ata. Dhe është me të vërtetë nderi ynë që ne jemi këtu në këtë hapje sot”, u shpreh Gonul Bajraktar, zëvendësministri I Ministrisë për Punëve dhe Politikë Sociale.
Donatori Ajtekin Ajdën kordinatori i TIKA-s në Shkup tha se po organizojnë seminare për defektologë dhe pikërisht në këto seminare vihet në pah mungesa e kabineteve për fëmijë me nevoja të veçanta.
“Plotësisht e kemi rinovuar dhe pajisur kabinetin për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo nevojë ishte transmetuar deri tek ne dhe ne me kënaqësi shumë të madhe e pranuam këtë. Ne poashtu para pak kohësh kemi bërë organizimin e shumë seminarëve për defektologji, ku flitej për të njejtën problematikë, pra fëmijët me autizëm”, tha Ajtekin Ajdën, coordinator i Tika-s në Shkup.
Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu tha se kjo çerdhe ka pasur nevojë për një kabinet për fëmijët me nevoja të veçanta të cilët do të bëjnë aktivitete të posaçme për të cilat kanë nevojë këto fëmijë.
“Inevstimi për këtë kategori, persona me aftësi të kufizuara është më së i nevojshëm. Çdo investim që do të jetë në fushën e arsimit do të jetë i mirëseardhur për ngritjen e kushteve sa më cilësore e më kualitative për mbarëvajtjen e mësimit”, deklaroi kryetari I Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ndryshe TIKA që prej themelimit të zyrës së tyre në Shkup ka realizuar rreth 1000 projekte nga fusha të ndryshme e arsimit, shëndetësisë si dhe rikonstruim të objekteve të ndryshme.
Përgatiti: Arbana Q.Klimenta
