“Ka vendim për prishjen e kryqit në Kodrën e Diellit”/ Sulejmani: Do të rrënohet kur t’i vie radha

TË FUNDIT

Kryqi në Kodrën e Diellit do të mënjanohet, bën të ditur kryeshefi i Inspektoratit komunal në Komunën e Tetovës, Sadat Sulejmani. Ai thotë se ka vendim për prishjen e kryqit bashkë me 5 mijë objekte tjera, pa theksuar se kur saktë.

“Kryqi ka vendim për prishje. Ka vendim për prishjen e kryqit. Kur do të prishet? Në Tetovë ka mbi 5000 vendime për prishje. E shihni se mundohemi që të punojmë. Kur do t’i vije rendi, atë do e bëjmë”, tha Sadat Sulejamni – shef i Inspektoratit  komunal të Tetovës.

I menjëhershëm  ka qenë edhe reagimi i BDI-së dega Tetovë. Nga BDI thonë se kjo tregon qartë se vendosja e kryqit në Kodrën e Diellit është një pazar politik mes Lëvizjes Besa dhe VMRO- DPMNE-së.

“Duke e pasur parasysh që në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit Komunal të Tetovës, zyrtarët e komunës publikisht e kanë pranuar se kanë qenë në  dijeni që do të vendoset kryqi në Kodrën e Diellit, dhe nuk kanë marrë asnjë veprim, shihet qartë që këto janë veprime të koordinuara në mes Lëvizjes Besa dhe VMRO-DPMNE-së.  Ju bëjmë thirrje këtyre dy partive që udhëheqin me komunën e Tetovës, të zgjidhin çështjet për të cilat kanë nevojë qytetarët dhe të mos bëjnë lojëra të ulëta për ngritur tensione artificiale për ndonjë përfitim politik”, thonë nga BDI- Dega Tetovë.

Pas kësaj pësoi reagim i Lëvizjes Besa, prej ku theksojnë se pushteti aktual dhe BDI nuk bëjnë krime vetëm duke zhvatur popullin, por edhe duke manipuluar me dezinformata dhe luajtur me ndjenjat etnike e fetare të qytetarëve.

“I bëjmë apel BDI-së, kryetarit dhe ministrave të saj, që të mos e hedh gurin dhe të fsheh dorën, por lirisht mund të shkojë dhe të hedh gurthemele në çdo kryq që po ndërtohet. Sepse, të gjithë këtyre akrobacioneve të këtij pushteti, së shpejti do ti vijë fundit, pasi qytetarët mezi presin që ti dënojnë me votë, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, pohoi Lulzime Ameti – zëdhënëse e Lëvizjes Besa.

Kryqi në kodrën e Diellit  u vendos  me 16 nëntor, ndërsa për këtë nga Komuna e Tetovës akuzonin pushtetin qendrorë, ndërsa nga pushteti qendrorë VMRO-në dhe Besën. Edhe pse kryqi u vendos pa leje, nga komuna më pas thanë se ka mundësi i njëjti të legalizohet.