“Ka rrezik që LSDM të mos ekzistojë”, Mickoski: Filipçe ka sjellje tradhtare

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski vuri në pikëpyetje ekzistencën e LSDM-së si parti. Sipas tij, përgjigjja do të bëhet e ditur pas zgjedhjeve lokale. Mickoski këtë e theksoi pas akuzave nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe nga Athina, i cili e akuzoi për autokraci dhe mungesë vullneti për ta çuar vendin drejt Bashkimit Europian.

“Për momentin kemi Qeveri autoritare të djathtë në vendin tonë, e cila nuk dëshiron ta çojë vendin përpara”, tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së (11.6.2025).

Në lidhje me këtë u përgjigj Mickoski se Filipçe ka qasje tradhtare dhe nuk është konstruktiv sa i përket procesit të integrimeve europiane.

“Ne tani ndërtojmë, luftojmë, përpiqemi në mbarë botën, ndërsa ai me një deklaratë thotë: Unë e pranoj gjithçka, çfarëdo që të më vini në tavolinë, jepni të nënshkruaj, vetëm të më ktheni në pushtet si kryeministër. Kjo nuk është konstruktivitet, kjo është rrëzim i pozicioneve, dhe prandaj kanë rejting një shifror. Mendoj se pas zgjedhjeve lokale ekziston rrezik serioz nëse ajo parti politike do të vazhdojë të ekzistojë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kryeministri nuk e pranon as akuzën se është lider autokratik.

“Nuk kam dëgjuar as ndjerë ndonjë gjë të tillë, e as nuk kam ndërmend të sillem ashtu. Megjithatë, unë jam profesor i rregullt universitar, pedagog dhe kjo nuk është pjesë as e sjelljes sime dhe as e karakterit tim”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nga LSDM më herët akuzuan se Mickoski po përpiqet të vendosë diktaturë autoritare në Maqedoni dhe se fakti që kjo u zbulua në skenën ndërkombëtare nga Filipçe, nuk është “spiunim”, por patriotizëm.