Deri në fund të marsit Qeveria duhet t’i dorëzojë në Kuvend ligjet me të cilat parashihet të bëhen reformat në administratën publike. Çdo vonesë e penalizon vendin në rrugën eurointegruese, por sipas ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës jemi në rrugë të duhur.
“Pastaj edhe në Parlament shpresojmë për përkrahje të madhe sepse nuk janë ligje me agjenda partiake, por janë ligje me të cilat njëmend do të reformohet administrata publike në të mirën e shtetit. Ne si ministri të gjitha këto ligje dhe detyra të shtëpisë në lidhje me reformat i kemi të kryera, por nuk është proces që varet vetëm nga ministria jonë.”- deklaroi Admirim Aliti, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Megjithatë euroambasadori Dejvid Gir theksoi se ende ka dobësi të mëdha në sistem të cilat vlerësohen nga fillimi deri në momentin e inkuadrimit në BE.
Dejvid Gir, ambasador I BE-së në RMV
“Ka dobësi të mëdha në sistem, ato janë identifikuar në Raportin tonë për vendin, ne po punojmë ngushtë me shtetin për të ndërtuar kapacitetet e tij sepse pa një administratë efektive nuk do të arrijmë askund. Prandaj, edhe është prioritet. Ne i ndjekim me shumë vëmendje reformat në administratën publike. Kjo është thelbësore sepse ka të bëjë me zbatimin e reformave, ndihmën e konsiderueshme që po japim dhe përgatitjen e vendit për të menaxhuar gjëra si fondet strukturore.”- deklaroi Admirim Aliti, Ministër I Shoqërisë Informatike Dhe Administratës.
Përndryshe, sot u prezantua projekti i zyrës së Komisionit Evropian në Shkup, me të cilin Ligji për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele duhet të harmonizohet me direktivën e BE-së. Në këtë drejtim euroambasadori Gir theksoi se Maqedonia e Veriut është në fazë shumë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit në BE, ku reformat thelbësore janë shumë të rëndësishme jo vetëm për shkak të kushtëzimit, por edhe për ndërtimin e një shteti që do t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve.
