Stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 21” pas disa qytetesh këtë herë ka zbarkuar në Tiranë, ku ditën e sotme do të ketë surpriza në tokë dhe ajër.
Në sheshin “Nënë Tereza” të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama, Ambasadorja Juri Kim, Presidenti Ilir Meta dhe figura të tjera të njohura.
Në fjalën e saj, ambasadorja Kim tha se gatishmëria e SHBA garanton ruajtjen e paqes dhe mbajtjen e dy kombeve të sigurta.
Më tej, Kim shton se Amerika ka një mike të vërtetë, një aleatë të fortë si Shqipëria, duke shtuar se marrëdhënia mes dy vendeve është shumë e rëndësishme.
“Është një moment historik. Gatishmëria, aftësi jonë garanton parandalimin e konfliktit, ruajtjen e paqes, dhe mbajtjen e kombeve tona të sigurta. Shqiptarë dhe amerikanë që punojnë së bashku dhe po njihen me njëri tjetrin. Jam e lumtur që ushtarët tanë me uniformë ndihen njësoj si ne diplomatët të veshur me kostume në Shqipëri. Janë krenarë që SHBA e quajnë Shqipërinë një mik dhe aleat. Si miq dhe aleatë ushtarët amerikanë dhe shqiptarë kanë qenë në krahë të njëri tjetrit në konflikte të shumta. Ne e dimë nga ato provoja, që Amerika ka një mike të vërtetë, një aleate që nuk ka më të fortë se Shqipëria”, tha Kim.
Kim theksoi se “Defender 21” hap një rrugë të vërtetë për një bashkëpunim strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Besoj se suksesi i Defender 21”, pasqyron angazhimin e popullit të Shqipërisë. Vlerësojmë se pavarësisht nga dallimet, të gjithë ju e pranoni që gjendemi në një moment të rëndësishëm në histori dhe t gjithë ju dhe ne jemi të bashkuar me marrëdhënien tonë, se kjo marrëdhënie mes SHBA dhe Shqipërisë është e rëndësishme. Kjo përkon me 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. SHBA qëndron me ju në kërkesën tuaj për një Shqipëri të pavarur dhe të lirë. Do vazhdojmë të qëndrojmë me ju teksa merrni detyra të rëndësishme. Këto detyra janë të vështira por jo të pamundura. Jemi krenarë që jeni aleat me ne këtu sot, krahë për krahë përgjithmonë”, porositi diplomatja amerikane.
“Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore.
Në këtë stërvitje të madhe ushtarake janë angazhuar mbi 28 mijë ushtarë, shumica e të cilëve janë amerikanë.
