Regjisori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Qëndrim Rijani do të prezantohet në Split të Kroacisë, me regjinë e shfaqjes “Jul Cezari”, transmeton TV21.
Vepra e Shekspirit “Jul Cezari” do të shfaqet premierë nga Ansambli i Dramës Split më 8 gusht 2025, në skenën e re në Portën e Argjendtë.
Lajmin e ka bërë të ditur Vera e Splitit, duke ndarë edhe disa nga të arriturat e Rijanit.
Ai ka fituar katërmbëdhjetë çmime regjisoriale, duke përfshirë çmimet “Regjisori i Vitit” në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, çmimin “Vojdan Çernodrinski”, “Moisiu” dhe çmimin “Artisti i Vitit” që i është dhënë nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut.
Deri më tani, ai ka drejtuar tre dokumentarë, një operë dhe njëzet e shtatë shfaqje teatrale profesionale. Shfaqjet e tij kanë fituar gjithsej shtatëdhjetë çmime.
