Në një video-mesazh drejtuar popullit rus, kryeministri britanik Boris Johnson u bëri thirrje qytetarëve rusë që të hetojnë të vërtetën për “egërsinë që tronditi botën” nga presidenti Vladimir Putin.
Johson e nisi mesazhin në rusisht duke thënë se populli rus meriton të dijë të vërtetën.
“Ju meritoni të dini të vërtetën,” tha Johnson.
Duke vazhduar fjalimin e tij në anglisht, Johnson tha se forcat ruse kanë kryer krime që tronditën botën.
“Civilët u masakruan, u vranë ndërsa duart e tyre ishin të lidhura. Gratë u përdhunuan para fëmijëve të tyre të vegjël. Trupat u dogjën, u varrosën në varre masive ose u lanë në rrugë,” shtoi Johnson.
Johnson përfundoi mesazhin në rusisht duke u thënë se “Presidenti juaj po akuzohet për krime lufte. Por nuk besoj se ai po e bën këtë në emrin tuaj”.
