Ministri i Shëndetësisë në Austri, Rudolf Anschober ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, pasi ndihet i rraskapitur nga lufta me pandeminë e koronavirusit.
Pas 462 ditësh, 60-vjeçari nga Austria njoftoi dorëheqjen e tij si ministër i shëndetësisë në një konferencë shtypi të martën. “Mua gjithnjë e më shumë më mbaronin forcat,” tha Rudolf Anschober në një deklaratë.
“Kjo pandemi ka ndryshuar të gjitha jetët tona, përfshirë edhe jetën time. Në këto 14 muaj jam përpjekur të jap gjithçka, me gjithë forcën time – padyshim që kam mbingarkuar veten”, tha Anschober. Ai raporton fillimin e tringëllimës në veshët, rritjen e vlerave të sheqerit dhe presionit të gjakut, “si pasojat logjike të një situate të mbingarkesës”.
Ai më pas foli me mjekët e tij, të cilët i rekomanduan pushim. Duke thënë se s’ka pasur asnjë ditë të plotë pushimi për më shumë se një vit – gjë që ka dëmtuar shëndetin e tij.
Austria ka regjistruar mbi 578 mijë raste me koronavirus dhe mbi 9 mijë e 700 viktima./21Media
