Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit. Ai këtë e ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetet sociale, ku ka treguar edhe arsyet e dorëheqjes. Ai ka bërë publike kërkesën e dorëheqjes në të cilën ka bërë të ditur se po e lë ministrinë për shkak të angazhimit të tij në fushatën zgjedhore, në kuadër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Të nderuar,
Dje, nëpërmes një shkrese, kam kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti që të lirohem nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit.
Sikur gjatë gjithë mandatit që jam munduar të jem transparentë për çdo veprim, edhe këtë kërkesë për lirim nga detyra po e bëj publike.
Jam i bindur që gjithmonë ka vend për punë më të mirë, por gjatë punës në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit jam angazhuar pa rezervë që të shtyjmë përpara shumë procese të rëndësishme.
Shpresoj që kabinetet qeveritare të zgjasin me mandate të plota, ngaqë ndërrimi i shpeshtë është dëmi më i madh që u bëhet institucioneve.
Faleminderit!”, ka shkruar ai.
Kuçi u emërua ministër i Ekonomisë dhe Ambientit në qershor të vitit të kaluar kur u votua qeveria Hoti./21Media