Ish-zyrtarja e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Jelena Gjukanoviq, është dënuar me 6 vjet burgim për spiunazh.
Gjukanoviq akuzohej se, gjatë kohës sa ishte zyrtare e misionit të OSBE-së në Kosovë, ka kryer veprime të përsëritura duke përcjellë informacione tek agjenti rezident i agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandar Vlajiq. Këto informacione më pas, sipas aktakuzës, janë transmetuar te zyrtarë të lartë të BIA-s në Beograd.
Në aktakuzë thuhet se, në ditën kur ka ndodhur sulmi terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në vitin 2022, ajo ka pasur komunikim me të dënuarin në shkallë të parë për të njëjtën vepër penale, Aleksandar Vlajiq.
Sipas Prokurorisë, e pandehura ka ndihmuar BIA-n duke dërguar përmbajtje sensitive lidhur me çështje politike dhe të sigurisë në vend.
Jelena Gjukanoviq është arrestuar më 28 shkurt 2025.
