Banorët e fshatit Jazhincë, të komunës së Jegunovcës, vazhdojnë të marrin shërbime mjekësore në fshatrat më të afërt, edhe pse në fshat kanë një ambulancë të re. Për shkak të mungesës së mjekut, kjo ambulancë është e mbyllur prej vitesh. Banorët ankohen se duhet të udhëtojnë me kilometra për të shkuar tek mjeku, gjë që është më e vështirë gjatë dimrit.
“Ne shkojmë në Tetovë, sepse ambulanca nuk funksionon. Ka ambulancë, por nuk punon. Asnjë mjek nuk vjen. Është ndërtuar para më shumë se 20 vitesh dhe qëndron e mbyllur, sepse asnjë mjek nuk ka ardhur”, tha një banor.
“Ambulanca është ndërtuar 34 vjet më parë me kontributin e fshatrave. Sot nuk kemi mjek. Kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë gjithë periudhave, në varësi të partive në pushtet, por nuk kemi hasur në mirëkuptim”, shtoi një tjetër banor.
“Nuk kemi mjek këtu. Nuk ka asgjë, jemi të harruar. Ndonjëherë shkojmë në Vratnicë, ndonjëherë në Tetovë, ku gjejmë mjek e ku nuk gjejmë. Ka mbi 30 vjet që ambulanca është e tillë dhe askush nuk interesohet”, u shpreh një banor tjetër.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, nuk kishte një përgjigje konkrete për mungesën e mjekëve në vendbanimet rurale. Ai tha se aktualisht, me politikat e reja në ministri, po bëhen analiza lidhur me riorganizimin e dhënies së shërbimeve mjekësore.
“Në të njëjtën kohë bëjmë analizë funksionale dhe infrastrukturore dhe shumë shpejt do të dalim me një plan gjeneral për Ministrinë e Shëndetësisë, si krijuese e politikave shëndetësore, si për spitalet dhe institucionet shëndetësore, si implementues të këtyre politikave, ku do të dihet se çfarë infrastrukture do të ketë, çfarë shërbimesh do të jepen dhe sa do të jetë koha e dhënies së atyre shërbimeve”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Fshati Jazhincë ka rreth 1,800 banorë dhe rreth 400 shtëpi, ndërsa nga qyteti i Tetovës është rreth 40 kilometra larg. Ambulanca më e afërt është vetëm rreth 8 kilometra larg, në fshatin Vratnicë, por ajo është e hapur vetëm deri në orën 14:00.