Rebalanci i buxhetit kthehet në seancë plenare në Kuvend dhe do të jetë pika e shtatë në seancën që paralajmërohet për nesër. Debati mund të zgjasë maksimum tri ditë ndërsa nga shumica besojnë se rebalanci do të votohet, sepse, siç thonë, i plotëson pritjet e qytetarëve.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski nuk pret përkrahje nga opozita. Ai paralajmëroi se pushteti do t’i shqyrtojë të gjitha pikat e propozimit dhe vlerësoi se kolegët e LSDM-së deri më tani nuk bënë debat të argumentuar. Shumica mbetet në qëndrimin se me këtë rebalanc mbushen zbrazëtirat e bëra nga paraardhësit.
Sipas informacioneve, socialdemokratët janë të qëndrimit që të mos e votojnë rebalancin. Paraprakisht nga LSDM theksuan se rebalanci është skandaloz dhe se në buxhet ka para.
Nga Ministria e Financave një kohë më parë thanë se me rebalancin do të ketë mjete për rritjen e pensioneve në shtator, ndërsa votimin e tij e presin edhe qytetarët që e shfrytëzojnë masën “TVSH-ja ime”, por edhe anëtarët e bordeve zgjedhore për shkak se KSHZ-së do t’i paguhen para shtesë. Me rebalancin janë siguruar 4,1 miliardë denarë për paga ndërsa sipas ministres së financave Gordana Koçoska-Dimitrieska ekonomia ishte në vdekje klinike sepse gropa në buxhet ka qenë 500 milionë euro.
