Javën e ardhshme BEG-ut do t’i merret licenca? Bekteshi dhe Arsovska vazhdojnë me akuzat

TË FUNDIT

Komisioni rregullator për energjetikë ka shqyrtuar propozim-vendimin për heqjen e licencës për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji ngrohëse të Ballkan Enerxhi Grupit (BEG). Pritet që javën e ardhshme të caktohet mbledhje kryesore në të cilën do të sillen vendime përfundimtare për marrje të licencave të BEG, bëjnë të ditur nga KRrE. Nga ana tjetër pushteti qendror dhe ai lokal akuzojnë njëra tjetrën në lidhje me BEG-un. Ministri i Ekonomisë Kreshnik disa herë ftoi kryetaren e Qytetit të Shkupit Danella Arsovskan që të përballen publikisht në lidhje me temën dhe përgjegjësitë. Ministri në një intervistë për “Utrinski Brifing” tha se janë boshe deklaratat e opozitës për të marrë gaz natyror nga Hungaria dhe shtete tjera, pasi që një gjë e tillë nuk mund të realizohet dhe jep variantin e tij të zgjedhjes së kësaj çështjeje.

“Por çfarë mund të bëjmë këtë dimër, është që të shfrytëzojmë interkonektorin në mes të Bullgarisë dhe Greqisë dhe përmes atij interkonektori të kyçemi edhe në TAB dhe në burime tjera të terminaleve NLG, ku terminale të caktuara janë në Turqi, e përmes atij interkonektori dhe atij që kemi me Bullgarinë edhe ne do të pajisemi me gaz natyror”, tha Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.

E kryetarja e kryeqytetit Danella Arsovska ka hedhur akuza drejt ministrit Bekteshi përmes rrjeteve sociale, duke thënë se Qyteti i Shkupit nuk ka asnjë detyrim ligjor për të zgjidhur problemet e Bekteshit. Nëse duhet të bëhem unë ministre e Ekonomisë, le të jap dorëheqjen Bekteshi, thotë Arsovska, duke u distancuar nga përgjegjësia për BEG.

“BEG është problem i Qeverisë. Ministri Bekteshi duhet të njohë kompetencat e veta dhe të zgjidhë problemet e qytetarëve. Më lejoni t’ju kujtoj se ministri që bënte foto me vaj të dhuruar që nuk e siguronte dot vetë, nuk ka të drejtë të flasë për aftësinë e dikujt tjetër”, pohoi Danella Arsovska, kryetare e Qytetit të Shkupit.

Nga tetori qyteti i Shkupit me shumë gjasa nuk do të ngrohet më me BEG-un. Komisioni Rregullator për Energjetikë njoftoi se është në procedurë për marrjen e licencave të Ballkan Enerxhi Grup për prodhim, shpërndarje dhe furnizim me energji të ngrohjes.