Japonia e goditur nga vala e tretë e Covid-19

TË FUNDIT

Japonia sot regjistroi rekord prej 1.645 personave të sapoinfektuar me Kovid-19, që sipas ekspertëve, është vala e tretë e Kovid-19, njoftojnë mediat lokale.

Numri, ku janë përfshirë edhe 236 rastet rekord në ishullin Hokaido në veri të vendit, tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 1.596 raste të infektimit më 7 gusht.

Tokio konfirmoi 393 raste të reja, rritje më e madhe ditore në tre muaj, ndërsa prefektura e Osakës regjistroi 231 raste, duke tejkaluar pragun e 200 rasteve për të tretën ditë me radhë.

“Rritja e fundit e infeksioneve mund të konsiderohet si vala e tretë e koronavirusit”, theksoi Toshio Nakagava, shefi i Shoqatës mjekësore të Japonisë, në konferencë shtypi, kur Japonia konfirmoi 1.543 raste të reja ditore të infeksionit.

Japonia e hoqi gjendjen e jashtëzakonshme njëmujore nga mesi i majit në shumicën prej 47 prefekturave. Vendi u përball me valë të dytë të koronavirusit në muajin gusht.