Janushevi akuzon Zaevin! “Nuk dëshiron gjurmë gishtash, dëshiron mbushje të kutive dhe votim grupor”

TË FUNDIT

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Igor Janushev akuzoi LSDM-në se qëllimisht zvarrit miratimin e  ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të cilat parashikojnë që në zgjedhjet e ardhshme të votohet me gjurmë gishtash. Siç thotë ai, ata po përgatiten për t’i falsifikuar zgjedhjet, prandaj janë kundër. Janushevi thekson se dyshojnë se Zoran Zaev nuk dëshiron marrëveshje për Kodin Zgjedhor dhe qëllimisht dhe me vetëdije e zvarrit atë, vetëm për të pasur mbushje të kutive dhe votim grupor. Kjo është pasojë e asaj që edhe Zaev e di – se do të përjetojë debakël në zgjedhje të drejta dhe demokratike, thotë Janushev.


“LSDM është e gatshme ta shkelë dhe ta mos zbatojë Kodin Zgjedhor vetëm për t’i falsifikuar zgjedhjet. Kodi Zgjedhor, i cili vjet para zgjedhjeve, respektivisht në shkurt të vitit 2020 ishte sjellë në mënyrë aklamative nga ana e partive në Kuvend është decid dhe i njëjti kërkon përdorimin e detyrueshëm të pajisjeve për gjurmë gishtash për dy arsye: së pari – për ta verifikuar identitetin e votuesve, dhe së dyti – për të përcaktuar nëse votuesi tashmë e ka realizuar të drejtën e tij të votës”, theksoi Igor Janushev – deputet i VMRO-DPMNE-së.

Dhe derisa VMRO-DPMNE akuzon për Kodin Zgjedhor, në adresën e tyre mbërrijnë akuza për bllokim të ligjeve  që duhet sjellë në Kuvend. Nga partia në pushtet thonë se deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me sjelljen destruktive dhe të papërgjegjshme në dëm të qytetarëve. LSDM-ja akuzon se opozita e bllokon zgjidhjen ligjore për Qendrën e re Klinike, Ligjin për avancim të efikasitetit energjetik dhe se e kundërshton zgjidhjen ligjore me të cilën kryeqyteti do të ketë transport publik efikas dhe ekologjik.


“Në vend të bllokadave dhe sjelljes destruktive, deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë mundësi të qëndrojnë prapa qytetarëve dhe interesave të tyre. Me ose pa VMRO-DPMNE-në reformat në interes të qytetarëve dhe shtetit, po vazhdojnë. Si shumicë parlamentare, do të gjejmë mënyrë për t’i zbatuar të gjitha masat dhe politikat e parapara që janë në interes të qytetarëve”, u shpreh Dime Vellkovski – deputet i LSDM-së.

Sa i përket Ligjit Zgjedhor i cili parashikon votim me gjurmë gishtash, parimisht të gjitha partitë janë dakord të ketë një gjë të tillë. Janë mbajtur edhe takime mes grupeve pune, por nuk është arritur asnjë konkluzion. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve vetëm disa ditë më parë u kërkoi palëve të nguten, sepse nëse zgjidhja ligjore nuk arrihet deri në fund të marsit ose fillim të prillit, atëherë zgjedhjet do të shtyhen, sepse modeli i votimit me gjurmët e gishtave është detyrim ligjor.