Ish-ministrja Gordana Jankullovska ka ngritur parashtresë ndaj gjykatëses Dobrilla Kacarska, e cila e ka gjykuar Jankullovskën në rastin “Tanku” dhe parashtresa ka të bëjë pikërisht për këtë lëndë. E kontaktuar nga TV21 Kacarska tha se nuk e konteston faktin se ndaj saj është ngritur parashtresë në Këshillin Gjyqësor, megjithatë nuk deshi të japë detaje në këtë fazë. Arsyeja se pse dje nuk është paraqitur në Këshillin Gjyqësor është për shkak të pushimit vjetor. Atje do të paraqitet pas 1 korrikut, kur t’i mbarojë pushimi, tregoi Kacarska. Ish-ministrja Jankullovska na e mbylli telefonin duke mos dashur të flasë për këtë çështje ndërsa na sugjeroi që për këtë të drejtohemi direkt tek Këshilli Gjyqësor.
Kontaktuam me Kryetarin e Këshillit Kiro Zdravev, por edhe ky nuk deshi të ndajë asgje për këtë çështje. Ai madje na tha se debati brenda Këshillit për përgjegjësinë e një gjykatësi është i fshehtë me qëllim ruajtjen e integritetit të gjykatësit. Parashtresat në Këshillin Gjyqësor ngriten ku pala e gjykuar mendon se nuk është vepruar drejt dhe me korrektësi nga ana e gjykatësit gjatë gjykimit të një lënde.
