Përmes projektit “Bëhu IN, Bëhu INkluziv, Bëhu i INkluduar” janë zgjedhur 31 tutorë nga tërë shteti për të ofruar mbështetje në mësimin e nxënësve me aftësi të kufizuara, kumtoi Fondacioni për Iniciativa arsimore dhe kulturore “Hap pas hapi”.
Këta tutorë do të punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara në klasën e parë dhe të dytë që janë bursistë të projektit. Brenda detyrave të tyre të punës, tutorët do të punojnë drejtpërdrejt me fëmijët me aftësi të kufizuara në mënyrë që të fitojnë zakone pune dhe t’i përshtaten kërkesave të sistemit të orës mësimore ose të orës lëndore. Ata do t’i ndihmojnë fëmijët të arrijnë qëllimet e planit individual arsimor, duke përsëritur udhëzimet, duke praktikuar detyrat e dhëna dhe duke marrë njohuritë dhe aftësitë e kërkuara sipas udhëzimeve të dhëna dhe në bashkëpunim me mësuesin dhe ekipin gjithëpërfshirës për nxënësin. Përveç kësaj tutorët do t’u ndihmojnë fëmijëve në zhvillimin e aftësive shoqërore dhe komunikimin me shokët e klasës, mësuesit dhe personelin tjetër.
Para fillimit të angazhimit të tyre, tutorët iu nënshtruan trajnimeve dedikuar për zhvillimin e aftësive të nevojshme për punë të suksesshme me nxënës me aftësi të kufizuara të përfshira në shkolla të rregullta.
Projektin “Bëhu IN, Bëhu INkluziv, Bëhu i INkluduar” e realizon Fondacioni për Iniciativa arsimore dhe kulturore “Hap pas Hapi” së bashku me partnerët e saj Shoqata për promovimin dhe zhvillimin e shoqërisë përfshirëse “Inkluziva” dhe Shoqata për dhënie të shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara “Hendimak “ Projekti realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Byronë për zhvillimin e arsimit, dhe mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian.
