Janë mbi 13 milionë! Ku janë strehuar refugjatët e larguar nga Ukraina?

TË FUNDIT

Më shumë se 13 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, thotë OKB-ja. Afërsisht, pesë milionë janë larguar në vendet fqinje, ndërsa tetë milionë të tjerë mendohet se janë zhvendosur po brenda Ukrainës, nga një qytet në tjetrin. Megjithatë, kohët e fundit, me qindra mijëra janë kthyer në vendin e tyre, veçanërisht në qytete si Kievi.

Ku po shkojnë refugjatët ukrainas?

Në shifrat e përditësuara, OKB-ja thotë se, që nga 9 qershori, më shumë se 4.9 milionë refugjatë nga Ukraina janë regjistruar në të gjithë Evropën. Më shumë se 3.2 milionë kanë aplikuar për qëndrim të përkohshëm në këto vende:

– POLONI : 1 152 364

– RUSIA : 1 136 243

– RUMANI : 89 974

– MOLDAVIA : 86 254

– SLLOVAKIA : 77 330

– BJELLORUSIA : 8027

Të tjerët janë zhvendosur në destinacione të ndryshme, veçanërisht ata që kanë kaluar përmes Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, pasi këto vende kanë kufij të hapur me vendet e tjera të BE-së. OKB-ja thotë se tani ka më shumë se 780 000 ukrainas në Gjermani, 366 632 në Republikën Çeke dhe 145 000 në Turqi.

Disa ukrainas kanë udhëtuar në Rusi nga rajonet pro-ruse të Luhanskut dhe Donetsk. Presidenti Vladimir Putin thotë se forcat e tij ndihmuan në evakuimin e 140 000 civilëve nga Mariupol dhe këmbëngul se askush nuk u detyrua të shkonte në Rusi. Megjithatë, grupet vullnetare thonë se kanë ndihmuar qindra ukrainas të largohen nga Rusia.

Çfarë ndihme po u ofrojnë këto vende refugjatëve?

BE-ja u ka dhënë ukrainasve të drejtën për të qëndruar dhe punuar në 27 vendet e saj anëtare deri në tre vjet. Nëse nuk mund të qëndrojnë me miqtë ose të afërmit e tyre, refugjatët strehohen në qendra pritëse, ku u ofrohet ushqim dhe kujdes mjekësor. Ata kanë të drejtë të përfitojnë asistencë sociale, shëndetësore, si dhe akses në strehim e shkolla. Polonia, e cila ka marrë dhe numrin më të madh të refugjatëve, si dhe Moldavia kanë kërkuar mbështetje nga fuqitë e mëdha.

Mbretëria e Bashkuar prezantoi fillimisht një skemë të vizave familjare, për ukrainasit që kanë një anëtar të ngushtë të familjes në këtë vend.

Pasi ky vendim u kritikua, filloi skema “Homes for Ukraine” për të lejuar edhe ata që nuk kanë të afërm në Britani. Refugjatët që vijnë nëpërmjet kësaj skeme, do të jenë në gjendje të jetojnë dhe të punojnë deri në tre vjet në Mbretërinë e Bashkuar dhe të kenë akses në kujdesin shëndetësor apo shkolla. Aplikimet bëhen në internet dhe verifikohen si pritësit ashtu edhe refugjatët. Pritësit marrin 350 paundë në muaj.

Sa njerëz po kthehen sërish në Ukrainë?

OKB-ja thotë se që nga 9 qershori, ka pasur më shumë se 2.3 milionë “lëvizje ndërkufitare” në Ukrainë. Forcat kufitare të Ukrainës kanë thënë se rreth 30 000 njerëz në ditë po vijnë përsëri në vend. Disa po kthehen në zona të Ukrainës, si kryeqyteti Kiev, të cilat u kërcënuan nga përparimet e ushtrisë ruse në fillim të luftës, por që tani konsiderohen më të sigurta.

Në maj, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se popullsia e qytetit ishte kthyer në dy të tretat e nivelit të paraluftës.

Ku po strehohen njerëzit në Ukrainë?

Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin (IOM) tha në maj se më shumë se tetë milionë njerëz janë të zhvendosur brenda vendit:

  • 23% e refugjatëve ishin nga rajoni i Kharkiv, 20% nga Kievi dhe 17% nga rajoni Donetsk në Ukrainën lindore
  • 27% kishin lënë shtëpitë e tyre sepse ishin dëmtuar ose sulmuar në luftë

Organizata vlerëson se më shumë se gjysma e njerëzve të zhvendosur brenda vendit, janë gra. OKB-ja po punon së bashku me organizata të tjera për të siguruar para, ushqime dhe furnizime të tjera.