Kryetari i Komunës së Karposhit Stevçe Jakimovski në “Click21” në TV21 tha se në komunën e Karposhit presin 1.6 miliardë euro investime, ndërsa komuna është në borxhe.
“Për sa i përket infrastrukturës në Karposh, qytetarët duhet ta dinë se llogaria jonë është bllokuar me 2.7 milionë euro dhe ndërkohë ka arritur në 400-500 mijë euro, pra rreth 3 milionë euro apo borxhi total i komunës ka qenë diku rreth 5.6 milionë euro. Aktualisht komuna është e bllokuar me 250 mijë euro të tjera ndërsa borxhi total është pak më pak se 2 milionë euro. Që do të thotë se i kemi kthyer rreth 3.7 milionë euro”, tha Jakimovski.
Jakimovski thotë se ia kanë dalë t’i kthejnë borxhet duke punuar me rregull dhe duke kursyer.
“Në Karposh për momentin presin investime prej mbi 1.6 miliardë eurove. A mund ta imagjinoni në atë miliard sa vende pune ka, sa vende pune do të mbajmë, sa njerëz do të punësohen. Aktualisht po punoj që sa më shumë të sjell investime në komunën e Karposhit”, tha Jakimovski.
