Izolimi në Dibër dha efektet e para, për 4 ditë asnjë i infektuar, gjatë vikendit, porosi me telefon për ushqim e ilaçe

TË FUNDIT

Izolimi në Dibër ka dhënë efektet e para. Nga 1 prilli në Dibër janë regjistruar vetëm dy raste me Kovid 19, ndërsa 4 ditët e fundit nuk është shënuar asnjë rast i infektuar me koronavirus. Numri i përgjithshëm i të prekurve është 49 persona.

29 persona vazhdojnë të jenë në shërim shtëpiak, ndërsa në izolim shtëpiak janë 70 persona, këto shifra tregojnë se numri është i zvogëluar thotë Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës.

Deri sot në Komunën e Dibrës janë marrë 265 teste në total prej të cilëve 49 kanë dalë pozitiv, 4 persona kanë ndërruar jetë dhe 16 janë të shëruar dhe të vërtetuar me dy teste të njëpasnjëshme, këto persona llogariten si të shëruar. 13  kanë qenë në klinikën e Shkupit ndërsa 3 kanë qenë në shërim shtëpiak, tha Hekuran Duka, kryetar i komunës së Dibrës.

Gjendja e sigurisë ka qenë e qetë nuk ka pasur shkelje të orës policore thotë Duka. Gjatë orës së zgjatur policore Komuna e Dibrës ka marrë disa vendime ku qytetarët do të mund online të porosisin ushqime dhe barëra dhe tu dërgohen deri në shtëpi.

Gjatë kësaj periudhe sidomos gjatë vikendit, meqë është një periudhë  e gjatë e orës policore, do të caktohen marketet dhe farmacitë kujdestare nga të cilët qytetarët mund të bëjnë porositë e tyre nëpërmjet telefonit ose online nëpërmjet internetit, dhe shërbimet i bën personeli i dyqaneve ose i maketeve, dmth do tu dërgohen deri në shtëpi, tha Hekuran Duka, kryetar i komunës së Dibrës.

Dibra në izolim të tërësishëm është që nga data 14 Mars, pasi ishte qyteti me numrin më të lartë të të prekurve. Pas pothuajse 3 javë izolim numri i të infektuarve ka rënë dukshëm në Dibër.