Izolimi, larg lojërave të fatit, afër familjes!

TË FUNDIT

Izolimi për të parandaluar shpërndarjen e virusit korona i ka mbyllur edhe objektet e lojërave të fatit. Për shkak të një vendimi të Qeverisë të sjellë më 15 mars të këtij viti, të mbyllura do të jenë edhe objektet e lojërave të fatit. Ky vendim përveç se ka sjellë deri te mbyllja e këtyre objekteve, do të ndikon edhe në eliminimin e sjelljeve të qytetarëve. Sociologët thonë se pas tejkalimit të kësaj periudhe, qytetarët më pak do t’i frekuentojnë këto objekte të lojërave të fatit.

Sipas sociologut Ali Pajaziti mbyllja e këtyre objekteve ka ndryshuar edhe sjelljen e njerëzve të cilët janë të varur prej lojërave të fatit.

“Koronavirusi ose Kovid-19 mes tjerash ka pru edhe te ndryshimi i sjelljeve të njerëzve, gjegjësisht të një popullate e cila ka qenë e varur nga lojërat e fatit. Nga një kurs i përditshëm i vajtjeve – ardhjeve nga këto shtëpi, të cilat unë i kam quajtur si shtëpi vrastare dhe të cilat manipulojnë edhe me ekonominë, me ndjenjat e të rinjve por edhe të një brezi tjetër të popullatës sonë”, deklaroi Ali Pajaziti-sociolog.

Pajaziti thotë se akoma më keq është për ata lojtarë të cilët mendojnë se vërtetë aty mund të fitojnë para, pasi tani u është “vrarë” edhe kjo shpresë.

“Kështu u ka sjellë telashe kësaj kategorie të qytetarëve nga njëra anë, kurse nga ana tjetër është edhe kriza ekonomike që na ka ngushtuar të gjithëve. Kjo, te ata krijon një gjendje kaotike ose patologjike. Sepse të gjitha ëndrrat e tyre janë zhdukur dhe u janë rrënuar kullat e ndërtuara nga rëra,  sepse këto objekte për ata kanë pasur rolin e tempujve laik”, tha Pajaziti-sociolog.

Nëse gjendja e izolimit do të vazhdojë më shumë, sociologu vlerëson se kjo mund të ketë edhe efekt negativ, sepse në mungesë të një vendi të punës dhe të ardhurave financiare, qytetarët do t’i rikthehen serish shpresës “që të fitojnë para të shpejta”.
Se kur do të hapen këto objekte, do të mësohet pas një vendimi të ri nga Qeveria. Por, mbyllja e tyre kishte qenë temë diskutimi edhe para se të paraqitet virusi korona. Kjo, sepse në Kuvend u propozua ligj për largimin e tyre nga vendbanimet dhe objektet shkollore, por i njëjti nuk u miratua. Mesatarisht, në vit nga këto objekte sigurohen mbi 250 milionë euro të ardhura, nga 23 ndërmarrje të kësaj veprimtarie, të cilët kanë mbi 7 mijë të punësuar.