Ivica Daçiq zgjidhet kryetar i Kuvendit të Serbisë

TË FUNDIT

Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe tashmë ish-Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq është zgjedhur Kryetar i Parlamentit serb, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Siç paralajmëroi Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në përputhje me marrëveshjen e koalicionit me Partinë Progresive Serbe (SNS), Daçiç u zgjodh kryetar i ri në seancën konstituive të kuvendit këtë pasdite me një shumicë prej 226 votash pro dhe një vote kundër. Në seancë nuk ishin të pranishëm 26 deputetë.

“Unë do të kërkoj Kuvendi të ketë tolerancë të ndërsjellë dhe respekt për ndryshimet politike në punën e ardhshme. Falënderoj presidentin Aleksandar Vuçiq për propozimin për zgjedhjen time si një politikan shtetndërtues, ky është nderi më i madh, sepse kjo është një nga pozitat më të larta në vend. Unë dua të kontribuoj në unitetin politik në Serbi dhe ta mbroj reputacionin e kuvendit”, tha Daçiq pas marrjes së detyrës.

Duke arritur në seancën e Kuvendit, Daçiq u tha gazetarëve se vetëm “injorantë politikë ose dikush i ligë” mund të thotë që jam i degraduar.

Para zgjedhjes së tij si kryetar i parlamentit, Daçiq i dorëzoi postin e ministrit të Punëve të Jashtme kryeministres Ana Brnabiq, e cila do të jetë ushtruese e këtij posti deri në zgjedhjen e qeverisë së re, e cila pritet të mërkurën (28 tetor).

Në punën e kuvendit në ditët në vijim, pas zgjedhjes së nënkryetarëve, pritet të miratohen ndryshimet në ligjin për qeverinë për shkak të prezantimit të dy posteve të reja ministrore, ndërsa siç paralajmëroi Vuçiq, të mërkurën pritet mandatarja Ana Brnabiq ta paraqesë programin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e ministrave të rinj në qeveri.