Ish-Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka reaguar pas intervistës së Kryeministrit Zoran Zaev për mediat bullgare rreth çështjeve identitare.
“Kur jeni të gatshëm ta zgjidhni një çështje me çdo çmim, atëherë çmimi është më i lartë. Çmimi i zgjidhjes së këtillë të çështjes maqedonase është shkatërrim juridik dhe historik i popullit maqedonas, sepse pa popullin maqedonas, nuk ka as çështje maqedonase. Me fjalë të tjera, çështja e identitetit do të zgjidhet me shkatërrimin e tij. Me këtë, Republika e Maqedonisë dhe populli maqedonas janë futur në humnerë juridike, politike dhe historike. Kutia e Pandorës është hapur. Tani, gati secili merr të drejtë që ta mohojë atë që është e drejtë e jona e arritur. Edhe atë, në disa nivele dhe në disa raste. Ekzistojnë çështje për të cilat nuk negociohet, të drejta të arritura për të cilat nuk bisedohet, linja të kuqe përmes së cilave nuk kalohet” ka shkruar Ivanov.
Ai më tej shton se është precedent i paparë që për kontekst politik politikanët të japin interpretime historike të fakteve.
“Karakteri antifashist i Luftës Maqedonase në Luftën e Dytë Botërore dhe kontributi për çlirim nga nacizmi dhe fashizmi në Evropë asnjëherë nuk kanë qenë kontestuese. Askush nuk ka të drejtë, liri dhe nuk është i thirrur që të ndryshojë diçka, të rihetojë fakte, ta rikahëzojë të vërtetën. Nuk është vetëm e papërshtatshme, por edhe e turpshme dhe për keqardhje, edhe për Maqedoninë edhe për maqedonasit”, thotë Ivanov.
Më pastaj ai shton se dje, populli maqedonas e pa fytyrën e vërtetë të Zaevit. Sipas Ivanovit, ky i vetëshpallur “politikan me përvojë” dje dëshmoi se jemi dëshmitarë të tradhtisë kombëtare.
“E pyes publikisht “politikanin me përvojë”, prej nga ai aversion ndaj historisë? Thoni se populli maqedonas jeton në të kaluarën dhe se dëshironi ta shpini në të ardhmen. Por, populli nuk jeton në të kaluarën, por me të kaluarën, edhe atë jo që të urrejë, por që të kujtohet. Ndërsa tani dëshironi t’i censuroni edhe kujtimet kolektive dhe t’i fshini ato”, shprehet Ivanov.
Ai e mbyll reagimin e tij duke theksuar se në çdo vend demokratik, në çdo vend anëtar të NATO-s të Bashkimit Evropian, për deklarata të këtilla të kryeministrit, bie qeveria. Populli maqedonas, shkruan ai, i mësuar nga historia tashmë po bashkohet dhe fillon ta shkruajë Manifestin e ri maqedonas.
