Ivan Krastev: Vetoja bullgare për negociatat e Maqedonisë së Veriut do të ishte absurde

TË FUNDIT

Analisti politik bullgar Ivan Krastev nuk pret që Bullgaria ta bllokojë fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Nuk pres se Bullgaria do t’i bllokojë këto negociata. Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për Bullgarinë. Përveç kësaj , pikërisht në kuadër të kryesimit bullgar kjo u bë prioritet për Brukselin. Në këtë kuptim, vetoja bullgare do të ishte absurde. Vetëm do të dukemi qesharakë. Deri dje kemi luftuar për hapjen e BE-së për Maqedoninë e Veriut, sot duam t’i pengojmë. Jo se disa punë absurde nuk ndodhin, por jam i bindur se as Qeveria as presidenti nuk do të lejonin që Bullgaria të gjindet në situatë të izolimit total në kuadër të BE-së”, thotë politikologu Krastev në një intervistë për gazetën bullgare “Dnevnik”.

Lidhur me letrën e hapur nga tridhjetë intelektualë bullgarë, historianë, shkencëtarë dhe personalitetet publike kundër memorandumit shpjegues që Sofja e dërgoi deri tek KE-ja dhe vendet anëtare, në të cilin janë dhënë pohime serioze dhe linja të kuqe në rrugën e Shkupit drejt BE-së, Krastev vlerëson se kjo është me rëndësi, sepse mes nënshkruesve të tij janë disa nga historianët më me autoritet bullgar.

“Unë nuk jam historian, por mendoj se fjalimi është i rëndësishëm, sepse mes nënshkruesve ka disa nga emrat më me autoritet në shkencën tonë historike, sepse kjo qartë tregon se kontestet historike nuk janë dhe nuk duhet të jenë konteste mes vendeve, ato janë konteste mes historianëve. Prandaj Evropa nuk mund të na kuptojë nëse qëndrimi ynë është se të gjitha kombet në Evropë janë ‘natyrale’ dhe vetëm ai’ maqedonas’ është artificial dhe se vetëm maqedonasit në Evropë nuk dinë në cilën gjuhë të flasin”, ka thënë analisti bullgar.

Sipas tij, fillimi i negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut nuk do të thotë se Bullgaria i pranon tezat e Shkupit. “Thjeshtë, Brukseli nuk mund ta ndryshojë nevojën nga shkenca serioze historike”, thekson analisti Krastev. fb/