Pjesën qendrore dhe veriore të Italisë i kaploi mot i keq me erë të fuqishme, reshje të rrëmbyeshme dhe vetëtima, ndërsa lumenjtë dhe rrjedhat u mbushën brenda natës dhe dolën nga shtrati dhe vërshuan rrugët, shtëpitë dhe podrumet.
Në kampin turistik “Masha Marina”, në bregun e Detit Tirren, era rrëzoi një dru të lartë katër metra i cili ra në një tendë në të cilën ishte një familje pesëanëtarëshe. Një vajzë trevjeçare kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy vajza më të mëdha janë lënduar. Sipas disa mediave, ka ndërruar jetë edhe një vajzë 14 vjeçare.

Në Milano, era e fuqishme mori çatinë e një ndërtese për të moshuar, niveli i ujit në ujërat lokale është nën kontroll të vazhdueshëm për shkak të rrezikut nga vërshimet, ndërsa në provincën veriore Veneto kërkohet një njeri i ri i cili ishte zhdukur pasi kishte dalë nga shtrati një lum lokal.

Në Verona dhe rrethinë, sipas deklaratës së konsorciumit të prodhuesve bujqësorë “Koldiroti”, shirat e rrëmbyeshëm me erën “i kanë shkaktuar dëme bujqësisë”.
Dhe përderisa veriu i Italisë është goditur nga erëra të fuqishme, shi dhe lumenj të dalë nga shtrati, në Sicili po digjen zjarre, prej dje po digjet një pjesë e madhe e pyllit. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fuqishme jugore, flaka u përhap në hapësirë prej rreth një mijë hektarë.
Në Sicili zjarret e verës janë dukuri e shpeshtë dhe në shumë raste janë të qëllimshme, sepse pasi zjarri t’i shkatërrojë pyjet, ka spekulime se toka shndërrohet në plantacione ose për ndërtim të pushimoreve turistike./MIA
