Itali, vaksinimi për personat mbi 50 vjeç bëhet i detyrueshëm

TË FUNDIT

Italia e bëri të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë personat mbi moshën 50-vjeçare, duke u bërë një ndër vendet e pakta evropiane që merr masë kaq të ashpër në përpjekje për ta lehtësuar trysninë ndaj shërbimeve shëndetësore dhe për ta ulur numrin e vdekjeve nga pandemia.

Italia ka regjistruar më shumë se 138 mijë viktima të koronavirusit që nga fillimi i përhapjes në shkurt të vitit 2020, që është shifra e dytë më e madhe në Evropë, pas Britanisë së Madhe.

Piku i vdekjeve nga COVID-9 në Itali mund të shënohet në mesin e muajit shkurt, sipas një studimi të l’Institute for Health Metrics and Evaluation, qendër e kërkimeve të pavarura shëndetësore në Universitetin e Washingtonit, projeksionet e së cilës ndryshojnë në varësi të disa faktorë: përdorimit të maskave, rëndesës së situatës prej Omicronit, dozës së tretë dhe hezitimit për imunizim.

Në skenarin, kur për shembull 80% e popullatës përdor maskat, modeli parashikon 390 vdekje brenda 11 shkurtit. Situata më e rëndë lidhet me përhapjen e Omicronit, nëse ajo vazhdon me ritme të shpejta, projeksionet parashikojnë që deri në 17 shkurt, do të mbërrihet kuota e 580 vdekjeve ditore.

Pas një mbledhjeje urgjente që zgjati dy orë, Këshilli i ministrave vendosi të aprovonte në minuten e fundit një dekret të ri anti-COVID që synon frenimin e pandemisë.

Pjesë e këtyre masave është dhe vaksinimi i detyrueshëm për personat mbi 50 vjeç. Burime qeveritare shpjeguan se një vendim i tillë nuk “ishte kompromis politik”, por thonë se kjo grupmoshë është pikërisht ajo që po mbush më shumë terapitë intensive dhe repartet e COVID. Këto masa do të vlejnë deri më 15 qershor.

Qeveria e kryeministrit Mario Draghi, më herët e kishte bërë të detyrueshëm vaksinimin për mësimdhënësit dhe punëtorët shëndetësorë, ndërsa nga tetori i vitit të kaluar, të gjithë punëtorët duhet të jenë të vaksinuar ose të kenë test me rezultat negativ për të hyrë në vendin e punës.

Vendimi përbën ashpërsim të masave, pasi punëtorët mbi moshën 50-vjeçare nuk e kanë më mundësinë e paraqitjes së testit në vend të vaksinimit. Nuk ishte menjëherë e qartë se cili do të jetë dënimi për ata që nuk e respektojnë masën e re./21Media