Islami në Francë me kartë parimesh

TË FUNDIT

Këshilli francez për konfesionin islam zyrtarisht e ka miratuar kartën për parimet e Islamit në Francë, me çka duhet të fillojë një ristrukturim i madh i fesë së dytë në vend, njoftuan mediat franceze.

Pas krizës së brendshme disajavëshe, liderët e këshillit ranë dakord për tekstin e kartës, me të cilin konfirmohet “pajtueshmëria” e besimit mysliman me sekularizmin shtetëror dhe barazinë gjinore, dhe hidhet poshtë përdorimi i Islamit si mjet për të arritur qëllime politike.

Ky konfirmim i parimeve të republikës ishte me kërkesë të Presidentit francez, Emanuel Makron si pjesë e ofensivës së tij kundër separatizmit dhe Islamit radikal dhe do të zbatohet në një projekt-ligj që tani po shqyrtohet nga Parlamenti francez.

Miratimi i kartës me parime e hapi rrugën për krijimin e një Këshilli Kombëtar të imamëve, i cili do t’i miratojë imamët që predikojnë në Francë. Karta gjithashtu kundërshton ndërhyrjen e vendeve të huaja në konfesionin islam në Francë. Një nga dispozitat e saj parashikon edhe rregulla më të rrepta për donacionet e huaja mbi 10.000 euro.