Islam Abazi premton transparencë! Kryeprokurori kërçovar i sapo zgjedhur tha se nuk ka lidhje me Ahmetin

TË FUNDIT

U zgjodh shqiptari i pari në krye të Prokurorisë më të rëndësishme në vend, por në paraqitjen e parë të tij para mediave, tha se në interes të kohës do të flet vetëm në maqedonisht.

  TV21: Edhe në shqip nëse mundet?

“Në interes të kohës të fillojmë kështu, pastaj…”, tha Islam Abazi, prokuror.

Shkurt i përshëndeti mediat shqiptare për interesin e treguar.

 “Të nderuar, ju faleminderit për praninë tuaj dhe për interesin që keni treguar”, theksoi Islam Abazi, prokuror.

Islam Abazi është shefi më i ri i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për të votuan 66 e kolegët e tij në zgjedhjet e djeshme për udhëheqës të kësaj prokurorie.

 “Unë edhe pse nuk kisha program si pjesa tjetër e kolegëve që dorëzuan programin e tyre, unë isha në komunikim të vazhdueshëm me prokurorët publik të cilëve gjatë gjithë kohës ua prezantova vizionin tim, programin dhe projektet se si do të jetë dhe si do të udhëheq me këtë prokurori”, pohoi Islam Abazi, prokuror.

Abazi foli edhe për vizionin e tij në këtë prokurori.

 “Si fillim do të njoftohem me gjendjen dhe punët në prokurori. Prioritet kam që t’i plotësojmë vendet vakante të prokurorëve, t’i plotësojmë vendet në Qendrën për hetim dhe të digjitalizojmë Prokurorinë Publike”, tha Islam Abazi, prokuror.

Për shkak se Abazi me prejardhje është nga Kërçova, u pyet se a është i afërt me kreun e BDI-së, Ali Ahmetin.

 “Asnjëherë nuk kam qenë e as nuk jam anëtarë i cilësdo parti politike. As në punën time të deritanishme nuk kam lënë përshtypje se unë kam lidhje ose pozicione me ndonjë parti politike”, deklaroi Islam Abazi, prokuror.

-Personalisht nuk jeni “vëllezër” me Ali Ahmetin?

“Nuk jam!”, tha Islam Abazi, prokuror.

Abazi nga gazetarët u pyet se do të jetë imun ndaj çfarëdolloj ndikimi politik në punën e tij.

 “Për këtë arsye është kjo mënyrë e zgjedhjes e prokurorit publik, që të mos ketë asnjë lloj ndikimi të jashtëm as politik e as ndonjë ndikim nga fusha e biznesit“, theksoi Islam Abazi, prokuror.

Nuk deshi të komentoj nëse do t’i marrë përsipër lëndët që i ka lënë përgjysmë prokuroja Villma Ruskovska, atë kundër ish drejtorit të Policisë financiare, Arafat Muarremit dhe të Besa Trans. Abazi tregoi se fillimet e tij i ka pasur si prokuror publik në Prokurorinë Publike Themelore në Kërçovë, pastaj 5 vite ka qenë prokuror në Prokurorinë e Lartë,  ndërsa në 4 vitet e fundit ka udhëhequr me Prokurorinë e Lartë të Gostivarit, ku tha se ka zgjidhur lëndë serioze dhe të rënda penale.