Ish-presidenti i Ukrainës me kallashnikov në Kiev: Putin është i çmendur, nuk e ndalon dot rrugën tonë drejt BE-së

TË FUNDIT

Ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, është shfaqur i armatosur në rrugët e Kievit. Më një kallashnikov në dorë, ai u shpreh për CNN se ukrainasit janë gati për të mbrojtur vendin e tyre.

“Të gjithë duhet të kuptojnë, Putin shpalli një luftë jo për Ukrainën. Putin i shpalli luftë të gjithë botës,” tha ish-Presidenti.

Poroshenko tha se batalioni i tij është rreth dy deri në tre kilometra nga luftimet midis ushtarëve rusë dhe ukrainas.

Ish-Presidenti tha se Vladimir Putin nuk do ta pushtojë kurrë Ukrainën, ndërsa i bëri thirrje Perëndimit të shtojë presionin mbi Rusinë.

“Pavarësisht se sa ushtarë vret, sa raketa ka, sa armë bërthamore ka, ne ukrainasit jemi njerëz të lirë me një të ardhme të madhe evropiane,” tha ish-Presidenti.

Ish-presidneti tha se Putin ka humbur arsyen.

“Duhet të sillemi me Putinin si me një njeri që ka humbur arsyen, ai është i çmendur, është thjesht i keq”, tha Poroshenko.

Poroshenko theksoi se Ukraina është e vendosur për rrugën evropiane.

“Vetëm dua të deklaroj se Putin nuk do të ndalojë Ukrainën, në lëvizjen tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Poroshenko.