Ish-presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri u akuzua të mërkurën në një gjykatë federale për gjoja urdhërimin e ndjekjes së paligjshme gjatë presidencës së tij të familjeve të 44 marinarëve që humbën jetën në fundosjen e një nëndetëse të marinës në vitin 2017.
Gjyqtari Martin Bava lëshoi një aktakuzë ndaj Macrit për gjoja “veprën penale të kryerjes së veprimeve të ndaluara të inteligjencës”.
Macrit i është dhënë mundësia e lirimit me kusht me një kaucion prej 100 milionë pesos argjentinas (rreth 990 mijë dollarë amerikanë).
Sipas vendimit prej 174 faqesh, Macri dyshohet se “ka bërë të mundur realizimin e detyrave të paligjshme të inteligjencës, duke krijuar kushte në mënyrë që mbledhja e të dhënave për njerëzit të mund të kryhej, ruhet dhe përdoret vetëm për faktin e veprimeve të tyre private ose opinioneve politike ose aderimin ose përkatësinë në organizata partizane, shoqërore, sindikale ose komunitare dhe për veprimtarinë juridike që ato kryenin”.
Macri nuk lejohet të qëndrojë larg vendbanimit të tij për më shumë se 10 ditë pa informuar autoritetet dhe gjithashtu duhet të njoftojë dhe të marrë autorizim paraprak për të udhëtuar jashtë vendit.
Macri, i cili ishte president në periudhën 2015-2019 mund të përballet me një dënim nga 3 deri në 10 vjet burg.
Muajin e kaluar, ai këmbënguli se ishte i pafajshëm në një paraqitje paraprake në gjykatë ku tha: “Unë nuk spiunova askënd. Unë kurrë nuk kam urdhëruar askënd në qeverinë time të spiunojë dikë”.
Të mërkurën, Macri hodhi poshtë akuzat, duke u thënë gazetarëve se “Unë kam thënë gjatë gjithë kohës se ky ishte persekutim politik që do të përfundonte në këtë mënyrë”.
Nëndetësja ARA San Juan u zhduk në nëntor 2017 dhe u gjet një vit më vonë në një thellësi prej mbi 900 metrash në një zonë të izoluar të Atlantikut Jugor afërsisht 400 kilometra nga bregdeti jugor argjentinas i Patagonisë.
Thuhet se nëndetësja ishte copëtuar pas një shpërthimi të shkaktuar nga një defekt teknik. Të gjithë 44 pjesëtarët e ekuipazhit në bord në atë kohë humbën jetën.
Autoritetet më vonë vendosën kundër përpjekjes për të nxjerrë anijen në sipërfaqe.
Familjarët e marinarëve të vdekur u thanë hetuesve se ishin ndjekur, përgjuar, filmuar dhe frikësuar për të mos ndjekur pretendimet e tyre.
Sipas gjyqtarit Bava “rëndësia e informacionit të mbledhur, qëllimi që qëndron pas saj dhe natyra sistematike e dokumenteve të analizuara në këtë çështje na lejojnë të konstatojmë se këto të dhëna të paligjshme të inteligjencës janë mbledhur për një person: Mauricio Macri”.
Macri ka kërkuar rrëzimin e çështjes, e cila u refuzua, duke këmbëngulur se është viktimë e përndjekjes politike.
Një gjykatës kishte urdhëruar më parë ndjekjen penale të dy krerëve të shërbimit sekret të rangut të lartë, Gustavo Arribas dhe Silvia Majdalani, të cilët raportuan te Macri në atë kohë. Të dy mohojnë akuzat ndaj tyre.
Deri më sot, 12 persona janë akuzuar në lidhje me rastin, i cili filloi pas një ankese penale nga Drejtoresha e Agjencisë Federale të Inteligjencës (AFI) Cristina Caamano, e cila thuhet se zbuloi prova se të afërmit e marinarëve ishin spiunuar gjatë mandatit të Macrit./AA/
