Para dy vjetëve dha dorëheqje nga funksioni zëvendësministër i Arsimit nga radhët e LSDM-së, për shkak të moszbatimit të reformave në këtë fushë. Aso kohe, i dërgoi letër të hapur kryeministrit Zoran Zaev, kurse pastaj u tërhoq edhe nga Bordi Qendror i partisë. Tani profesori Petar Atanasov thotë se digjitalizimi i mësimit dhe mjetet digjitale duhet të përdoren në sistemin arsim gjithnjë e më shumë. Megjithatë, siç shton, ministrja Carovska për kohë të shkurtër dëshiron ta “shtyjë” reformën e cila është e përshpejtuar dhe nuk është përgatitur mirë.
“Kjo reformë nuk është përgatitur mirë, është përshpejtuar dhe nuk ka elemente të forta. Idenë e zhvilluar për një muaj, ministrja deshi ta prezantojë si një ide e cila zhvillohet për një kohë të gjatë. Thjesht, kërkohet disi të “shtyhet” dhe të bëhet ndonjë sukses politik për një kohë të shkurtër. Kjo nuk mund të bëhet në arsim”, tha Petar Atanasov – ish-zëvëndësministër i Arsimit.
Nga ana tjetër, profesori Aleksandar Spasenovski, thotë se me mjetet digjitale më shumë tërhiqet vëmendja e nxënësve gjatë procesit mësimor.
“Pavarësisht të gjitha dobësive që ekzistojnë, nga aspekti i cilësisë së arsimit, nga aspekti i mënyrës me të cilën mbahet vëmendja e nxënësve sidomos në arsimin fillor me ndihmë të këtyre mjeteve për komunikim virtual, konsideroj se kjo shoqëri e mori maksimumin, por këto dobësi të cilat i vërejmë duhet përmirësuar. Digjitalizimi është një proces i cili nuk duhet të anashkalohet, bile edhe pas përfundimit të kovid-krizës”, theksoi Aleksandar Sasenovski – profesor.
Iniciativa Qytetare “Libra dhe mësim patjetër të ketë” vazhdon ta kundërshtojë ligjin e ri për digjitalizim të teksteve shkollore. Para dy ditësh kërkuan të mbahet referendum kundër librave digjitalë, por iniciativa e tyre u hodh poshtë nga ana e komisioneve kuvendore të cilat vlerësuan se e njëjta nuk ka qenë në përputhje me Ligjin për Referendum. Nga kjo Iniciativë paralajmëruan se do të vazhdojnë të organizojnë protesta edhe më 24 maj në Ditën e shënimit të iluministëve mbarësllovenë Kiril dhe Metodij.
