Isen Shabani me padi për Fatmir Limanin! Çerdhja në Dobërdoll vazhdon të jetë e mbyllur

TË FUNDIT

Kryetar i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ka dorëzuar padi penale për ministrin e politikës sociale, Fatmir Limanin dhe drejtoreshën e çerdhes “Pranvera” Turqan Saliji . Sipas tij ata kanë shkelur ligjin për të drejtat e fëmijëve.

“Tani dorëzova në prokurori dy padi për ministrin dhe drejtoreshën. Jam tepër i shqetësuar me kaosin që ndodhë në territorin e komunës së Vrapçishtit, me çerdhen ‘Pranvera’ ku është një shkelje flagrante dhe do i drejtohem publikisht ministrit që të dije punën e vetë dhe të lexojë mirë kompetencat që i ka”, tha Isen Shabani – kryetar i Komunës së Vrapçishtit.

Ministri Limani në një bisedë telefonike fajin e hodhi te ish drejtoresha, e cila sipas tij nuk ka bërë program vjetor.

“Padinë duhet ta bëj tek ish drejtoresha paraprake që nuk ka plotësuar kushte edhe nuk ka bërë planifikimin e mirëfilltë të buxhetit dhe duhet t’i bëj një padi vetës së vetë se ai e ka propozuar atë drejtoreshë. Megjithatë ne do të ballafaqohemi edhe në gjykatë në rast se duhet të ballafaqohemi”, deklaroi Fatmir Limani – ministër për Politikë Sociale.

Ndryshe është dita e tretë që kjo çerdhe në Dobërdoll është e mbyllur, për shkak se nuk ka rrymë. Faturat nuk janë paguar sepse nuk është bërë plani vjetor. Paraprakisht ministria ja ka marrë kompetencat komunës dhe në vend të drejtoreshës, në drejtim të çerdhes ka vendosur një edukatore si u.d drejtoreshë.


Nga ky ping-pong politik mes dy institucioneve më së shumti po pësojnë prindërit të cilët nuk kanë ku t’i çojnë fëmijët derisa duhet të shkojnë në punë.