IRONIZIMET E LIDERËVE NË TUBIMET PARTIAKE, DITA E 16 E FUSHATËS PËR ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

TË FUNDIT

Dita e 16 e fushatës për zgjedhjet presidenciale.

Liderët e partive politike lëvdojnë kandidatët e tyre për president, ndërsa ironizojnë kundërkandidatët.

Kryetari i BDI-së  Ali Ahmeti në një tubim të partisë së tij pretendimet e Rekës krahasoi me bërjen e petullave në ujë.

“Si të votohet një maqedonas!? Por mirë more zotëri Blerim Reka, pse t’i këtij shteti ja merr paratë, aq  qejf që i ka. Po mos i merr se ata janë paratë që më herët maqedonasit kanë bërë, ai guvernatori është maqedonas.. Ne do të bëjmë të pa bërë në këto hapësira, kur të bëhem unë president thotë. President, kjo është me bërë petulla në ujë”, theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

E dy krerët e partive opozitare shqiptare Bilall Kasami dhe Ziadin Sela, thonë se në këto zgjedhje edhe një votë të jetë për profesor Blerim Rekën, për ta është fitore. Njëkohësisht ata  kanë kritikuar partitë shqiptare të pushtetit duke thënë se ato po bëjnë tregti me votën shqiptare.

“Flisni për koncepte kurse ne nuk shohim koncept. Në qoftë se e quajnë këta koncept, të shkosh dhe të votosh kandidatin vetëm se është kandidat i Qeverisë, në ndërkohë eksponent të LSDM-së të thuan sa më larg më mirë, ky nuk është koncept , por kjo është shërbesë”, potencoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

“Nëse dikush nga kampi tjetër, fatkeqësisht disa shqiptar në shërbim të maqedonaseve të tjerë dhe partive tjera, thirrin në armiqësi dhe vëllavrasje ne nuk do ju përgjigjemi ne do të ju themi ejani në mesin e shqiptarëve sepse ne shqiptarët jemi të rreshtuar pas profesor Blerim Rekës”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Në kampin e partive maqedonase dy partitë politike VMRO-DPMNE dhe LSDM në fushatë po dominon emri i ri i shtetit. Kreu i VMRO-DPMNE-së Hirstijan Mickoski, ka kërkuar edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Ju zotërinj të LSDM-së keni problem me vetveten, kurse ne dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë kemi problem me ju, por këtë problem do ta zgjidhim më 21 prill, kurse pastaj edhe më 5 maj. Pas 5 majit do të vijojnë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Jo se i besoj Zoran Zaevit, jo se i besoj fjalës së tij të pandershme, por sepse populli ka energji të tillë, e cila do të shkaktojë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër Zaev ka ironizuar VMRO-në se si anëtarët e kësaj partie përgjigjen, kur pyeten se a do ta prishin Marrëveshjen e Prespës.

Kanë mbetur edhe tri ditë kohë për fushat që kandidat për president të shpalosin programet e tyre para qytetarëve. Heshtja zgjedhore fillon të premten në mesnatë dhe përfundon pas 24h. Të dielën, më 21 prill qytetarët do të mund ta realizojnë të drejtën e votës për një nga 3 kandidatët Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Blerim Reka. Rrethi i dytë i votimit do të mbahet më 5 maj.

Përgatiti: Zimer Jashari