Investim i ri në Bunarxhik, drejtori i ZZHTI-së parashikon se kush do të punësohet

TË FUNDIT

Kompania turke ‘Balkanllar Plastik’ nisi ndërtimin e fabrikës për prodhimin e produkteve të plastikës.

Do të ndërtohet në Bunarxhik, ndërsa drejtori i zonave të lira ekonomike Aleksandar Mlladenovski sikur s’po u besonte syve që më në fund aty po ndërtohet diçka, e ku parashikoi edhe se do të punësohen njerëz që ai i njeh.

“Kur shoh… kur të mbarojë i gjithë procesi i dokumentacionit dhe do të shoh se tashmë po fillon të ndërtohet, me gëzon shumë. Kjo sepse jam i sigurt se për ndonjë muaj në po këtë vend do të punojnë shokë të mi, të afërm, në një farë forme, njerëz të rinj të cilët nuk do të ikin nga këtu”, u shpreh Aleksandar Mladenovski, drejtor i ZZHTI-së.

Punësimet janë edhe qëllim i “Balkanlar” tha përfaqësuesi i kompanisë.

“Me investimin në këtë shtet mendojmë të kontribuojmë në punësimin e qytetarëve dhe zhvillimin e këtij rajoni”, tha Eren Çalishir, “Blakanlar Plastik”.

“Është investim që duhet të kushtojë rreth 7 milion e gjysmë euro dhe të sjellë 306 punësime në disa faza. Ata do të prodhojnë produkte plastike në pjesën e ambalazhit më bojëra, llaçe dhe industrisë ushqimore. Kanë ambicie që prodhimet e tyre edhe më tej të zgjerohen në vendin tonë duke i rritur kapacitetet e tyre prodhuese”, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev.

Kryeministri Zoran Zaev tha se Maqedonia e Veriut ka ndryshuar dhe se tani ofron përparim dhe përfitime për investitorët e huaj. Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi shprehu bindjen e tij se investitorët e rinj do të vazhdojnë të rrisin kapacitet e tyre në vend, duke hapur vende të reja pune, duke rritur eksportin e kështu do të ndikojnë edhe në rritjen e standardit të jetesës.

Përgatiti: Besir Arifi