Jusuf Buxhovi, historiani dhe shkrimtari i njohur nga Kosova tregon takimet me nobelistin gjerman, përkrahjen e tij për çështjen e Kosovës … dhe humbjen që pësoi më 13 prill bota e letrave
Novelist Grass speaks to journalists at Grass museum in Luebeck
Gunter Grass, një prej figurave më të njohura të letërsisë gjermane, u nda nga jeta pesë muaj më parë, në moshën 87-vjeçare. Për shumë njerëz, Grass ishte zëri i gjeneratës gjermane që u rrit pas Luftës së Dytë Botërore, gjeneratë kjo që mbante mbi supe barrën e fajit të krimeve të nazistëve. Fitues i “Nobelit”, ai është autor i romanit më të rëndësishëm gjerman të pasluftës, “Daullja e llamarintë”. Kohë më parë, ai ka botuar “Dhoma e errët”, një lloj ditari intim, ku shkrimtari është rrëfyer përmes syve të fëmijëve dhe familjarëve. Gunter Grass ka lindur në portin baltik të Danzig, që tani quhet Gdansk, në Poloni në vitin 1927, ndërsa shumica e ngjarjeve të librave të tij kanë qenë të vendosura në këtë qytet. Jusuf Buxhovi, historian dhe publicist nga Kosova, u takua për herë të parë me Grass në janarin e vitit 1978. Atëherë gazetar i “Rilindjes” në Prishtinë, kishte mundur të ishte në një nga shfaqjet e filmit “Daullja prej llamarinës” (fitues i çmimit “Oskar”). Në Bonin e përfshirë nga dimri, ai mundi ta takonte shkrimtarin dhe t’i kërkonte një intervistë. Dhe vetëm pak minuta më vonë, Buxhovi do ta gjente veten të ulur në tavolinë me dy figura të rëndësishme të letërsisë gjermane. Bashkë me Gunter Grass në kafene ishte dhe Hajnrih Bell. Biseda me dy nobelistë është një nga ato biseda që mbeten gjatë në kujtesë, a ndoshta gjithmonë. Kaq vite më pas, Buxhovi kujton interesin që ata kishin për shqipen përmes letërsisë së Kadaresë. Biseda e gjatë me Grass-in do të botohej në “Rilindjen” e vitit 1978. Intelektualët apo shkrimtarët gjermanë e kanë mbështetur ndër vite çështjen e Kosovës. Shtëpia Henrich Böll ka organizuar forum për Kosovën me shkrimtarë, historianë dhe filozofë nga e gjithë Europa … Midis të ftuarve ishin Gunter Grass, Daniel Cohn Bendit, Jacques Rupnik, Andre Gluckmann, Vesna Pesiç, Georgy Konrad, Herta Müller. Më poshtë Jusuf Buxhovi, një njeri i lidhur me kulturën gjermane, vjen në një bisedë homazh për një nga personalitetet jo vetëm të letërsisë gjermane, por edhe asaj botërore, Gunter Grass.
Si e kujtoni njohjen me Gunter Grass?
Me Gunter Grass jam njohur për herë të parë në Gjermani në janarin e vitit 1978 në Bon, me rastin e një prej shfaqjeve të shumta të filmit “Blechtromel” (Daullja e llamarinës), që kishte marrë “Oskarin”. Me këtë rast, zhvillova një intervistë me Grass-in për gazetën “Rilindja” të Prishtinës, korrespodent i përhershëm i së cilës isha prej më shumë se një viti në Bon. Është interesante të thuhet se biseda për “Rilindjen” u bë në praninë e një shkrimtari tjetër të madh gjerman, Hajnrih Bell, i cili kishte fituar “Nobelin” për letërsi dhe vlerësohej si zëri më i fuqishëm intelektual gjerman, që përpiqej për një pajtim të brendshëm gjerman. Në këtë intervistë flet edhe për Ismail Kadarenë dhe romanin e tij “Dimri i madh”, që tashmë ishte botuar në Paris në frëngjisht dhe vazhdonte të bënte jehonë. Grass-i nuk e kishte lexuar romanin, por në pyetjen time rreth “Dimrit”, ndërhyri Hajnrih Bell, i cili e kishte lexuar dhe dha vlerësime interesante për romanin. Ai, me këtë rast, tha se do të dëshironte që Kadareja të vinte në Gjermani. Me Grass-in jam takuar edhe disa herë në kuadër të forumit intelektual “Neue Linke”, në Godesberg, të cilin merrnin pjesë intelektualët e njohur gjermanë dhe ndërkombëtarë të profilit majtist. Takimet më të shpeshta me Grass-in i kam pasur pas fillimit të krizës së Kosovës, nga viti 1991 e tutje. Meqë isha anëtar i PEN-it gjerman, të cilin e drejtonte Grass-i dhe Sara Kirsh, aty vazhdimisht e shtroja çështjen e Kosovës, të cilën Grass-i, por jo vetëm ai, e shfrytëzonte që të sulmonte Millosheviçin dhe të solidarizohej me shqiptarët e kërkesat e tyre. Është i njohur prononcimi i tij në kuvendin e PEN-it në mars të vitit 1966 në Dyseldorf, kur kërkoi solidaritet intelektual ndërkombëtar për Kosovën dhe të drejtën që shqiptarëve t’u njihet shteti i shpallur në mënyrë demokratike. Ai lavdëroi dr. Ibrahim Rugovën (President të shtetit të Kosovës) dhe kërkoi nga shteti gjerman ta mbështesë.
Ju keni përkthyer disi Grass në shqip, si është gjuha e tij?
Nga Grass-i kam përkthyer vetëm disa fragmente të romanit “Ein ander Feld” (Një fushë tjetër), të botuar në vitin 1996, ku bëhet fjalë për masakrën e heshtur të sovjetikëve, por edhe aleatëve ndaj fundosjes së një anije gjermane me katër mijë refugjatë gjermanë që po iknin nga Prusia në pranverën e vitit 1945. Grass-i, që kishte ngritur zërin kundër fashizmit, për herë të parë hapi edhe çështjen e krimeve të aleatëve kundër gjermanëve, të cilën e quajti hakmarrje dhe e barazoi me krimet kundër njerëzimit. Ky roman pati jehonë të madhe dhe hapi kutinë e Pandorës …
“Një fëmijëri mes shpirtit të shenjtë dhe Hitlerit …” e quan kritika jetën e tij?
Edhe kjo metaforë, e cila mund t’i atribuohet Grass-it, gjen pasqyrimin më të mirë te “Daullja e llamarinës”.
A është letërsia e Grass-it një përzierje e politikës dhe moralit njerëzor?
Vepra e Grass-it, më mirë se çfarëdo vepër tjetër letrare, paraqet përzierjen midis politikës dhe moralit njerëzor. Grass mbetet një shembull i angazhimit intelektual par ekselancë që politika të ruajë kredibilitetin moral, edhe pse ajo më së paku qanë kokë për të. Mund të thuhet se Grass-i si shkrimtar, jo vetëm që nuk e përjashtoi politikën, por atë e vendosi në sfondin e një trajtimi të hapur, duke e trajtuar edhe si veprimtari morale. Në këtë drejtim, ai ishte tepër pragmatik. Kërkonte që politika të ishte e mirë dhe e dobishme, por mbi të gjitha një veprimtari, nga e cila intelektualët jo vetëm që nuk duhet të largohen, por të mbeten pranë saj, jo duke e përdorur atë si profesion, por si një mjet që ajo të mos e humbë kredibilitetin moral.
Cili ka qenë takimi juaj i fundit me Grass?
Herën e fundit me Gunter Grass-in jam takuan në Lybek, në prill të vitit 1999. Ishte ky takim nergut në përputhje me fushatën, që Grass-i të përkrahte ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë, për të cilën ai u angazhua me përkushtim të madh dhe bashkë me 30 intelektualë të tjerë, ndër ta edhe filozofi Habermas, kërkoi nga qeveria e Kancelarit Shrëder që të përkrahet ndërhyrja ajrore e NATO-s në Kosovë.
Çfarë e bënte të veçantë një shkrimtar si ai?
Grass-i si shkrimtar të veçantë më së miri e shpjegon vepra e tij “Daullja e llamarinës” e botuar në vitin 1955, për të cilën mori çmimin “Nobel” në vitin 2000. Kjo vepër është metaforë e fuqishme letrare, në të cilën shprehet dufi kundër dhunës totalitare, nëpër të cilën kaloi Gjermania nazifashiste. Ai përherë mbrojti qëndrimin se krijuesit duhet të jenë kundër çfarëdo fuqie, meqë ajo i shërben tiranisë./INA/
